E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po mbaj fjalën, më 1 korrik rritje pagash e pensionesh”

Kryeministri Berisha konfirmoi dje, në mbledhjen e qeverisë rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 korrik. 

ADI SHKEMBI

Me gjithë deklaratat e FMN-së për një rritje të kujdesshme për këto kategori, kreu i qeverisë u duk i vendosur dje, teksa fliste para ministrave të tij. Berisha tha dje se edhe për këtë rast do të mbajë premtimet e dhëna pak kohë më parë, teksa shtoi se do të ketë kompensim një më një për të gjitha çmimet e rritura. "Pensionistët, shtresat në nevojë ekonomike dhe buxhetorët, kudo ku janë, në qytet dhe në fshat, do të kompensohen një më një për rritjen e çmimeve. Ju siguroj se më 1 korrik, pagat dhe pensionet do të rriten dhe rritja do të jetë e tëra në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre. Shpresoj të përcillni këtë mesazh të qartë e zotim solemn të Kryeministrit dhe qeverisë se do të kompensohen çmimet e rritura. Ky është vendim i prerë. Qeveria i përmbahet zotimeve të saj, ajo është qeveri e fjalës së dhënë dhe e premtimit të mbajtur", theksoi kreu i qeverisë para mediave në pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë. Kjo nuk është hera e parë që kreu i qeverisë ka insistuar në qëndrimet e tij, lidhur me rritjen e pagave dhe pensioneve. Gjatë turit të tij "Shqipëria në NATO" në disa prej qyteteve të vendit, Kryeministri Berisha është shprehur se do të kompensojë qindarkë më qindarkë rritjen e çmimeve në vend. Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një moment kur FMN-ja vetëm pak ditë më parë, kishte deklaruar se qeveria duhet të bëjë kujdes dhe të mos tregohet shumë bujare në këtë moment jo fort të përshtatshëm ekonomik. "Në mënyrë të veçantë, ndërsa ndihma ndaj të varfërve për të kompensuar efektet e çmimeve të rritura të ushqimeve dhe të energjisë është e drejtë, rritjet reale të rrogave në sektorin publik duhet të kufizohen fort, për të shmangur nxitjen e një spiraleje paga-inflacion", tha pak ditë më parë shefi i misionit të FMN-së Gerwin Bell.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›