Topalli, lektore në Strasburg, për të ardhmen e Evropës
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është nisur dje drejt Strasburgut, ku do të marrë pjesë në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve. Konferenca do të mbahet në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, në datat 22-23 maj 2008. Kjo konferencë politike, më e rëndësishmja e këtij lloji, do të trajtojë dy sfidat kryesore të së ardhmes së Evropës: gjetjen e rrugëve më të mira për të afruar shoqërinë civile më pranë jetës politike të kombeve, si edhe përfshirjen e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor në politikat e përditshme në nivel kombëtar dhe atë evropian. Në të do të jenë të pranishëm 47 kryetarët e parlamenteve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, janë të ftuar edhe kryetarët e parlamenteve me statusin e vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të KE-së (Kanada, Izrael, Meksikë) si dhe të Asambleve Parlamentare Ndërkombëtare (OSBE, IPU, NATO, PABSEK, CEI etj.). Ndër pesë kryeparlamentarët, që organizatorët e kësaj konference kanë përzgjedhur për të mbajtur referatet kryesore të kësaj konference, është edhe kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, e cila në fjalën e saj do të trajtojë progresin, sfidat dhe angazhimin e gjithë faktorëve të politikës shqiptare në perspektivën evropiane të Shqipërisë. Në këtë diskutim Topalli pritet të parashtrojë sfidat që ka Shqipëria për procesin e integrimit, si dhe do të japë një panoramë të reformave dhe hapave që shteti shqiptar ka ndërmarrë për realizimin e kësaj aspirate rreth 20-vjeçare. Reformat e qeverisë pas nënshkrimit të MSA-së, synimi i marrjes së statusit të kandidatit për në BE, pritet të jenë një nga diskutimet e kryeparlamentares. Gjatë ditëve të zhvillimit të kësaj konference, kryetarja Topalli pritet të zhvillojë takime të rëndësishme të veçanta me homologët e saj të vendeve të Bashkimit Evropian e më gjerë.