E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: U shit Kushtetuta për karriget në Parlament

Petro Koçi, kryetari i Lëvizjes Institucionale në PS, ka zhvilluar dje një takim me socialistët e njësisë bashkiake numër 2 në Tiranë. 

Sipas njoftimit për median, takimi u përqendrua në situatën politike të krijuar pas goditjes së Kushtetutës që realizoi grupi parlamentar i PS-së më 21 prill dhe në korrupsionin organizativ që ka përfshirë funksionimin e strukturave drejtuese të PS-së dhe zgjedhjet për kryetarë të organizatave socialiste. Socialistët e njësisë 2 denoncuan shkatërrimin e strukturës së PS-së në territorin e tyre. "Jam shkëputur nga grupi parlamentar dhe Asambleja Kombëtare e PS-së, sepse deputetët tanë shitën Kushtetutën dhe programin e partisë në këmbim të një vendi pune në Parlamentin e ardhshëm! Por nuk jam larguar nga Partia Socialiste", theksoi Petro Koçi në fjalën e tij. Ai theksoi se, "ka ardhur koha të ngremë socialistët në veprim për ta shpëtuar partinë nga privatizimi. PSSH është një pasuri kombëtare që s'duhet lejuar të keqpërdoret më në dëm të demokracisë nga Sali Berisha. Berisha mund të kapë drejtues të korruptuar të PSSH, por jo gjithë socialistet". Nga ana e tij, Enver Reçi, ish-sekretari organizativ i Tiranës, foli për strukturimin e Lëvizjes në çdo njësi organizative të Tiranës. Në këtë takim disa anëtarë të PS-së kërkuan rishikimin e emrit të Lëvizjes. Kjo gjë pritet të realizohet brenda një kohe të shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›