E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçani, atje ku gurët zëvendësuan predhat

Beratin e lemë pas që në orët e para të mëngjesit. Për do kohë na kishte shoqëruar silueta hijerëndë e Tomorrit. Edhe për pak nuk do ta shohim kreshtën madhështore të mbuluar nga dëbora dhe retë. Vazhdojmë rrugën për më tej. Jemi nisur për në Poliçan. Pas hatasë së Gërdecit, diskutimet për të ardhmen e uzinës më të madhe të municioneve në Shqipëri janë hapur sërish. Nuk paska qenë e vërtetë se mungoka puna për këtë uzinë me të cilën mbahej i tërë qyteti. Uzinat shërbejnë për të prodhuar, por edhe për të çmontuar dhe në këtë qytet të vogël, të fshehur mes malesh, paskan qenë punëtorët më të kualifikuar për punë municionesh. Kalojmë me radhë Vodicën, Hoxhajn, Fushë-Peshtanin, Vërtopin… Shiu, që ka rënë fort një natë më parë, tani ka pushuar dhe përgjatë Osumit, që vezullon nën diellin e pranverës, këto fshatra duken fort piktoreskë. "Janë, janë, por kështu duken nga larg. Jeta në këto anë ka qenë e vështirë, ndonëse njerëzit janë punëtorë. Po ka pak tokë. Sikur të mos ishte uzina në Poliçan…". Bashkë me ne udhëton edhe një shoku ynë i vjetër, Arben Lamçe. Beni ka kohë që është vendosur në Tiranë, por këndej ka kaluar të gjithë rininë e tij të hershme. I njeh fort mirë këto anë e këta njerëz dhe kështu shndërrohet brenda pak minutash në një udhërrëfyes të pazëvendësueshëm. Gjatë të gjithë xhadesë, që do të na çojë në Poliçan, kemi hasur në grumbuj gurësh, a më mirë me thënë rrasash shkëmbore të prera me kujdes dhe të paketuara bukur njësoj sikur të ishin ndonjë mall ushqimor. Janë pllaka të shtrenjta që përdoren për ndërtim. Ethet e "të ngrënit të malit" janë shndërruar tani në biznesin më të madh këtyre anëve. "Prisni, prisni - na thotë Beni - më lart keni për të parë se ç‘po bëhet me malin". Tomorri, me kreshtën e mbuluar nga dëbora, na është shfaqur sërish. Thua ta ketë radhën të masakrohet mali legjendar, i pamposhtur nga askush deri më sot?

Te dykatëshet e Mbrakullës

Ndalesën e parë e bëjmë në Mbrakull, një fshat i madh, i ngritur në të dyja anët e xhadesë kryesore. Beni rrotullon sytë ngado. Ky është fshati i tij i fëmijërisë. Ndalon para disa pallateve dykatëshe, të pasuvatuara, tipike nga ato të kohës së komunizmit. Tani para tyre janë shtuar edhe disa bahçe të vogla dhe ndonjë rrënjë hardhi, porse sërish pallatet nuk duken si shtëpi tipike fshatare. "Këto mund t‘i shënoni si shenjën e parë të Uzinës së Poliçanit - thotë Beni - këto pallate u ndërtuan kur puna në uzinë u shtua, kështu që shumë prej punëtorëve, të ardhur kryesisht nga fshatrat këndej rrotull, u strehuan këtu. Unë kam qenë fare i ri, por mbaj mend se asokohe ekzistonte një ndarje, mes ‘qytetarëve‘, që ishin punëtorët dhe neve fshatarëve. Prindërit tanë punonin në kooperativë. Ata visheshin më mirë, ushqeheshin më mirë, në dyqanin e tyre dhe kështu me radhë. Neve pastaj mundoheshim t‘ia ndreqnim mirë në ndeshjet e futbollit. Ishte i vetmi vend ku mund të nxirrnim ndonjë inat. Por edhe kjo diferencë kaloi, pa u vënë re shumë përveç ne të rinjve. Me ta kemi shkuar mirë. Një pjesë e mirë ishin kushërinjtë tanë të afërt…".

Disa metra më lart pallateve të Uzinës, krejt në anë të xhadesë, është klubi qendror i fshatit. Shkojmë me mendje se këtu me siguri do të gjejmë ndonjë ish-punëtor të Uzinës së Municionit. Lokalin e gjejmë krejt rrëmujë dhe me karriget me këmbë përpjetë. I zoti, si e shikon që jemi jabanxhinj, shpejton të na rregullojë një vend. Në mes të rrëmujës e kuptojmë se kemi ardhur në një moment të papërshtatshëm. Një vaki ka ndodhur në fshat. Një e moshuar ka ndërruar jetë dhe në të tilla raste mobilizohet i gjithë fshati. Zakonet e vjetra të ndihmës reciproke nuk ka arritur ende t‘i prishë individualizmi që vjen që nga poshtë. Megjithatë, miqtë e Mbrakullës na prezantojnë me një mesoburrë. "E ku di gjë unë për Uzinën, unë kam punuar vetëm kuzhinier", në fillim Xhevua prezantohet me ndrojtje, por vetëm pas pak minutash nis të kujtojë jetën e tij në Uzinë. Xhevua është nga Poliçani. Shtëpia e tij ka qenë bash atje ku më pas u ngritën ndërtesat hijerënda ku prodhohej municioni i destinuar për të vrarë. "Për mua, më mirë flisni me punëtorët që janë ende atje, megjithatë unë do t‘ju them atë që kam parë vetë - nis të rrëfejë ai - Uzina arriti të kishte mbi 3500 punëtorë. Ne kishim për detyrë të ruanim regjimin e tyre special ushqimor. Punohej me tre turne dhe po kështu edhe ne të reparteve të tjera ndihmëse. Rregulli ishte maksimal, përveç ushqimit special edhe në kohët më të vështira për punëtorët ishte i garantuar edhe qumështi si antidot dhe dy kafe gjatë punës. Pa le t‘ju them pastaj për rregulloren. Pa fletëhyrje nuk të fuste kush në uzinë. Ne të gjithë njiheshim me njëri-tjetrin, po askush nuk kalonte pa fletëhyrje. More, le të ishte edhe vetë vëllai im nuk do të më linte. Pastaj e mbaj mend mirë se si e transportonin atë lëndën plasëse, që e quanin ekzogjen. Pesëdhjetë metra para ecte një lajmëtar, pas tij njeriu që transportonte lëndën e rrezikshme dhe 50 metra më pas një tjetër me flamur. Sikur t‘i thoje një fjalë njërit prej këtyre, ishte i pushuar vetë automatikisht nga puna. Pastaj sallat ku bëhej montimi ishin të veshura poshtë me një lëndë të butë plastike. Me një fjalë kishte rregull dhe jo si ajo që ndodhi në Gërdec. Ishte një hata që askush prej nesh këtu, askush që ka pasur sadopak lidhje me punën që kemi bërë tëra këto vite, nuk e kupton aspak". "Mirë ti që je kuzhinier dhe për të gatuar do të ketë gjithnjë nevojë. Po të tjerët me se mbahen?", e pyesim Xhevon, që ndërkohë ka nisur të mos e zërë vendi nga tenxheret që ka lënë mbi sobë. "Ah, tani në Uzinë kanë mbetur 80 vetë. Të tjerët shikojini vetë se me se jetojnë", kuzhinieri ka bërë me krye nga një grumbull i madh gurësh ndërtimi që sapo janë bërë gati për t‘u transportuar. "Kush nuk ka ikur ende, po jeton nga gurët. Në vend të predhave tani merremi me to", Xhevo kërkon leje me mirësjellje. Në kuzhinë, tenxheret kanë nisur "të protestojnë" me tërsëllimë.

Qyteti që lindi nga lufta e ftohtë

I lemë pas me radhë grumbujt e gurëve që i janë shkulur zemrës së malit dhe kalojmë ato pak kilometra që na ndajnë nga Poliçani. "Ja oxhakët e parë të Uzinës - dëgjojmë të thotë Beni, duke u zhytur sakaq në kujtimet e tij të fëmijërisë - në këtë përrua vinim gjatë verës. Mblidhnim kushineta që i përdornim për karrocat e drurit". Pamja e parë e Uzinës është një oxhak i lartë, i fshehur pas një kodre. Përbri tij, vetëm pak metra më tutje, nisin shtëpitë e para të periferisë së Poliçanit.

Në fillim ndalojmë në qendër. Na bën përshtypje rruga kryesore e stërmbushur me njerëz. Kush ka mbetur në qytet nuk është se ka punë. Të tjerët, kanë ikur, ose punojnë në guroret e shumta pas qytetit. Një diell i butë ndriçon majën e minares dhe pallatet e vendosura mbi kodër. Dy policë të qarkullimit nuk duken edhe aq të zënë me punë. Njëri prej tyre tund tabelën instinktivisht. Nuk ka se kujt t‘ia ngrejë. Këndej makinat që lëvizin janë me gishta.

Bashkohemi edhe për pak minuta me grumbullin e madh të njerëzve që shkojnë poshtë e lart rrugës kryesore. Ndër disa stola të vendosura në anë të saj numërojmë me radhë. "Një dy, tre… dhjetë, njëzet…" xhaxho me kapele republikë. "Shumica janë pensionistë të Uzinës", na thotë një i ri që porsa e kemi njohur.

Sikur të mos ishte "Lufta e Ftohtë" dhe ajo mania se duhet të mbrohemi me gjëra të prodhuara vetë, Poliçani do të ishte një fshat i qetë, njësoj si ato fshatrat që kemi kaluar që nga Berati e këndej. Në 1966, me ndihmën e kinezëve, nisi këtu prodhimi i armëve dhe Uzina vetë ia kaloi edhe vetë qytetit të ri për nga shtrirja. Marrim udhën drejt Uzinës, ndërsa rruga kryesore e Poliçanit ka nisur të zbrazet pak e nga pak.

Uzina e kuqërremtë

Sikur të mos ishte një e kuqe, që bëhet edhe më e fortë, nga dielli i shndritshëm, grumbulli kolosal i godinave që hasim menjëherë sapo kemi lënë qendrën e qytetit do të na dukej krejt i paqtë. Por godinat e stërmëdha, mbi të cilat lartësohen disa oxhakë me forma të çuditshme, janë krejt të kuqe. Një ngjyrë, që kush e di sepse na kujton atë llahtarinë e Gërdecit të disa ditëve të shkuara. Rruga që të çon për në Uzinë (kështu e quajnë vendasit, ndonëse në vitet e fundit të punës ishte emërtuar zyrtarisht kombinat) është dëmtuar ca. Një burrë që tërheq një gomar të lodhur, i shoqëruar nga plaka e tij, na përshëndet përzemërsisht teksa kemi arritur më në fund të tunelet e famshme të gërryera mbi faqen e Tomorrit. Heshtja sundon në hapësirën mes portave të rënda dhe të betonta dhe telave me gjemba. Duket se tashmë askujt nuk i interesojnë më zgavrat kolosale të hapura në malin legjendar. Bëjmë më tej dhe zbresin për nga Uzina. Sërish i takojmë ato dykatëshet e famshme të punëtorëve. Sërish hasim në togje gurësh të gatshëm për të marrë udhën për kush e di se ku.

Kemi mbërritur më në fund në portën e Uzinës. Një tabelë me germa të mëdha ku shkruhet "STOP" dhe disa ushtarakë që vihen në lëvizje, na bëjnë me dije se këtu bëjmë mirë të ndalojmë. Na thonë se drejtuesit janë në një mbledhje të rëndësishme dhe prandaj na duhet të presim ca. Mbledhja duket vërtet e rëndësishme, sepse për shumë kohë askush nuk na jep asnjë përgjigje. Një ushtarak me fytyrë të qeshur, me sa duket shefi i rojeve, na afrohet me mirësjellje. "Po hajdeni priteni pas traut të parë - na thotë - deri këtu brenda lejohet. Nuk e kemi zakon që t‘i lemë miqtë të presin".

Ushtaraku, mbase pa e ditur edhe vetë, na ka bërë një nder të madh. Ndërsa presim mes traut të parë dhe të dytë që të mbarojë ajo mbledhja e rëndësishme jemi njohur me Adriatikun. Adi, sikurse e thërrasin shokët, nuk është shumë i madh në moshë, por është një nga ekspertët e çmontimeve që ende vazhdojnë punë këtu. Qëkurse ka mbaruar arsimin e mesëm, është marrë tërë jetën e tij me municionet. Tashmë ka 25 vjet që merret me punën e frikshme. Të paktën kështu na duket neve. "E frikshme? - Adi mendohet ca. Nuk do ta përdorja këtë fjalë. Të paktën ne që bëjmë këtë punë përditë nuk e përdorim. Përdorim një tjetër që ka edhe më shumë rëndësi: kujdes. Sikur të zbatohen rregulloret që zbatojmë ne pikë për pikë, atëherë edhe ndonjë gabim njerëzor do të ketë pasoja minimale". Adi i hyn një rrëfimi të gjatë se si bashkë me shokët kanë çmontuar deri edhe predha avionësh që mbanin deri në 250 kilogram lëndë plasëse në barkun e tyre. Se si përdorin disa dhoma të posaçme për të bërë çmontimin e predhave apo të minave, se si pastaj e fusin në avull gëzhojën me gjithë barutin duke e lëngëzuar atë, se si më në fund e djegin barutin në vende të posaçme. "Bëhet si një bukë misri, e lagim me naftë dhe i vemë zjarrin me fitil. Nga një gjë e frikshme e gjithë kjo gjë kthehet në një flakë që shuhet brenda pak minutave", thotë Adi, njësoj sikur të na tregojë një punë çfarëdo. Duam s‘duam biseda shkon vetë te Gërdeci. "Për ne është e pakonceptueshme - Adi ngryset befas dhe i hedh sytë andej nga uzina - me sa kemi parë e dëgjuar atje janë shkelur të gjitha rregullat. Të marrim një fakt të thjeshtë. Le ta lemë mënjanë atë faktin që punonjësit nuk ishin ekspertë. Po këtu, te ne, nuk ka pasur gjendje më shumë predha se sa do të ç‘montoheshin. Vetëm pasi ishte evakuuar lënda plasëse në një depo larg qendrave të banuara vinin të tjerat. Ne i shikonim thuajse përditë kamionët e ushtrisë që kalonin këndej, por nuk ndalonin. Nuk e dinim se ku shkonin. Me siguri një pjesë e madhe e atyre ngarkesave kanë shkuar në Gërdec. Ka shumë mundësi që shkëndija e parë të jetë dhënë nga baruti i zi. Ky është shumë i rrezikshëm. Mjafton një shkelje këpuce mbi një sipërfaqe të ashpër dhe ai merr flakë menjëherë. Nëse duan që të eliminojnë këto materiale, duhet të aktivizojnë njerëzit që kanë përvojë dhe që janë të përgjegjshëm për këto punë. Ne jemi 80 vetë që kemi mbetur ende në punë me një pagë qesharake prej 20 mijë lekësh. Por këtu mund të punojnë njëherazi edhe 250 të tjerë, të tërë të specializuar. Vetëm kështu mund të shmangen tragjeditë".

Ndërsa ndahemi me njerëzit që jetojnë përditë me rrezikun nuk na ndahen disa pyetje: Përse predhat të mos çmontohen nga ata që i lindën? Kush tjetër më mirë se ata mund t‘i kthejë nga përbindësha vrasës në flakëza të paqta? Përse njerëzit për të cilët shoqëria ka harxhuar të mos und të jetojnë falë përvojës së tyre? Kështu do të merrte jetë edhe një zonë e tërë? Ndërsa e vrasim mendjen për këto pyetje na vjen një përgjigje tjetër. Mbledhja ka mbaruar, por për të hyrë në Uzinë duhet marrë leje nga Ministria e Mbrojtjes. Gati-gati largohemi me qejf. Nuk është se ishim shumë të interesuar të shihnim makineri apo ndërtesa pa gojë. Me njerëzit kishim folur…

Në të dalë të Poliçanit takojmë edhe dy punëtorë të vjetër. Të dy kanë kohë që e kanë lënë atë punë të rrezikshme. Zaimi Zaimi e ka njohur Uzinën që në kohën kur ajo ishte vetëm një kantier që lartësohej përditë. Ka ardhur këtu që në 1964. Tjetri, Nezir Doko, ka kaluar atje 30 vjet. Të dy flasin duke mos i lënë radhë njëri-tjetrit. "Atje në Gërdec, kanë vepruar njësoj si veprohej një herë e një kohë në fshatin tim kur mblidhej duhani. O burra me gra, me fëmijë ta mbledhim sa më parë dhe kështu bëhej një rrëmujë e paparë. Vetëm se duhani nuk plaste. Kurse atje u bë kërdia". Zaimi, një aktivist i vjetër sindikalist, pohon me kokë. "Unë e kundërshtoj atë mendimin që është shprehur shumë herë se predhat mund të pëlcasin edhe vetë. Më i rëndësishmi nga të gjithë është faktori njeri. Vetëm ky mund të shkaktojë zjarr, apo goditje fizike, shkaqe që çojnë në shpërthimin e tyre. Nëse zbatohen të gjitha rregullat, sikurse zbatohen edhe tani në Uzinë, atëherë incidentet do të jenë minimale. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet se si në gjithë këtë Uzinë, me Poliçanin vetëm pak metra afër, të kemi pasur në gjithë këto vite vetëm tre viktima. Edhe këto për shkaqe të pakujdesisë. Jo vetëm unë, por edhe kolegët e mi japim garanci të plotë. Nëse predhat kthehen te ne për çmontim, shteti dhe qytetarët do të kenë garanci të plotë".

Ndërsa marrim rrugën e kthimit në një kthesë të fortë përshëndetemi edhe një herë me njërin prej oxhakëve të Uzinës. Në skaj të rrugës kujtimet e punëtorëve sikur shuhen pak nga pak nga mendjet tona. Tani shoqëruesit tanë janë grumbujt e mëdhenj të gurëve të shkulur nga barku i Tomorrit. Për pak kohë e besojmë se tashmë ato janë predhat e vërteta të poliçanasve në këtë fillim mijëvjeçari.

Autori falënderon zotin Arben Lamçe, për ndihmën dhe miqësinë e treguar gjatë realizimit të këtij reportazhi.

Meraku i një skraparlliu të vërtetë

Zylyftar Hoxha është një gazetar i vjetër. Ka lindur këtu e 61 vjet më parë në zemër të Skraparit. Vetëm pak kohë më parë ka nxjerrë në qarkullim një libër të mbushur plot me mall për vendlindjen e tij. Një nga këto shkrime bën fjalë për Uzinën e Poliçanit. E kush më mirë se Zylua i njeh këto anë? Pikërisht prandaj më poshtë po riprodhojmë disa citime nga libri i tij.

"…meraku i Petrit Dumes, por edhe i të gjithë udhëheqjes së atëhershme, krahas të tjerave ishte Poliçani, një nga kryeveprat më të mëdha shqiptare të kohës në fushën ushtarake, por edhe një nga krenaritë e sistemit vetëmbrojtës socialist. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1961-1962 menjëherë pas prishjes me sovjetikët. Uzina e armëve të Poliçanit është ndoshta nga të parat vepra të bujarisë aziatike dhe nga të parat buzëqeshje për miqtë e rinj shqiptarë. Ajo u vu në funksionim të plotë në vitet 1966-1967.

… Nga krijimi deri në vitin 1984, uzina ishte ndarë në disa, zona A me repartin mekanik për riparimin dhe prodhimin e makinerive të reja, repartin 102 për prodhimin e fishekëve, zdrukthëtarinë, fonderinë etj.; zona B, me repartet ku prodhoheshin predha të ndryshme; zona C, me repartet kimike ku bëheshin mbushjet e kapsollave.

…Në vitin 1984, për shkak të volumit të madh të punëve dhe numrit të madh të punëtorëve, që arrinte në 3500-4000 vetë, u bë një organizim i ri. Uzina u kthye në kombinat dhe repartet në uzina me drejtori më vete… Në këtë kohë mbaruan edhe tunelet, ku u fut komplet reparti i prodhimit të fishekëve, një vepër që ka befasuar me përmasat e saj ata që kanë pasur rastin ta shohin, vendas apo të huaj. Tunelet u ndërtuan përballë Kombinatit, në shpatin e Tomorrit, në një shkëmb monolit. Punimet, që nga ndërtimi i tyre e deri në montimin e makinerive në vitin 1983, vazhduan për 15 vjet me radhë. Është dashur mundi dhe puna e mijëra të përndjekurve politikë në moshë të re, ose bij të deklasuarish, siç quheshin atëherë, të cilët, jo si gjithë të tjerët, bënin shërbimin e detyruar ushtarak në repartet e punës së Xhenjos së ushtrisë, pa të drejtë të mbanin armë e të stërviteshin, por vetëm të punonin.

Tunelet, që sot janë kyçur, kishin një sipërfaqe prej 35000 metra katrore, me galeri të lidhura njëra me tjetrën që arrinin deri në 100-150 metra thellësi dhe lartësi 11 metra…".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›