E Diel, 1 Nëntor 2026

ARMO, fitues amerikanët e "Teksas"

Bashkimi i kompanive "Refinery Associates of Texas" dhe "Anika Enterprises & Mercuria Energy Group" janë shpallur dje si fituesit paraprakë të tenderit ndërkombëtar për privatizimin e 85 për qind të ARMO-s. Grupi i kompanive, me në krye amerikanët e "Teksas" kishin ofruar 125 milionë euro dhe investim rreth 240 milionë euro, duke marrë kështu 93 pikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë. Pas kësaj, janë renditur "Vitol" në vend të dytë dhe "Petrofac" në të tretën. Për sa i përket vlerësimit teknik, "Vitol" renditet pas kompanisë "Petrofac", e cila u radhit e treta. Kontrata me amerikanët mund të lidhet brenda muajit qershor, duke hapur dritën jeshile për derdhjen në arkën e shtetit të 125 milionë eurove.

Kompanitë

Qeveria shqiptare ka arritur qëllimin për privatizimin e kompanisë të përpunimit të naftës, ARMO, në vlera të konsiderueshme, duke përfshirë dhe investimet që parashikohen të kryhen në katër vitet e para. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, (KVO) pasi shqyrtoi raportin e përgatitur nga konsulenti i huaj mbi dokumentacionin e ofertave të paraqitura nga kompanitë në tender, kreu vlerësimin tekniko-financiar me pikë, në mbështetje të kritereve të përcaktuara nga vendimi i qeverisë. Kështu, KVO-ja vendosi të kualifikojë ofertat e tre kandidatëve: "Refinery Associates of Texas", "Anika Enterprises & Mercuria Energy Group"; "Vitol, Euroil" sh.a, NFS "Partners sa and USBCF" Inc; dhe "Petrofac Energy Developements International Limited". Burime zyrtare të ministrisë thanë dje se, të tre kandidatët kualifikohen pa pranuar asnjë nga kushtet paraprake të vendosura prej tyre, ndërsa është skualifikuar oferta e kandidatit "Penta Investmens Limited", kompani çeke, e cila kishte ofruar për privatizimin e ARMO-s vetëm 10 milionë euro.

Klasifikimi

Në varësi të ofertave dhe eksperiencës, Ministria e Ekonomisë ka vlerësuar kompaninë amerikane "Refinery Associates of Teksas" dhe amerikano-zviceranët, "Anika Enterprises & Mercuria Energy Group" me 75 pikë për ofertën 125 milionë euro dhe 18,16 pikë për vlerësimin teknik; "Vitol, Euroil" sh.a, NFS "Partners sa and USBCF" Inc me 58.2 pikë për ofertën 97 milionë euro dhe 11,29 për vlerësimin teknik; dhe "Petrofac Energy Developements International Limited" me 17.46 pikë për ofertën 29.1 milionë euro dhe 13,06 pikë për vlerësimin teknik. Nisur nga ky vlerësim pikësh, kompania amerikane "Teksas" është renditur e para, pastaj "Vitol, Euroil" sh.a, e dyta, ndërsa e treta amerikania tjetër, "Petrofac Energy". Sipas METE-s, tashmë pritet përgatitja në bashkëpunim me konsulentin, raporti përfundimtar për vlerësimin e ofertave të kualifikuara, për t‘u dërguar për miratim në qeveria. Vetëm 5 ditë kohë kanë kompanitë për të paraqitur ankesat për vlerësimin e marrë.

Kualifikuar 93.14 pikë

"Refinery Associated Anica Texas"

- 125 milionë euro oferta

- 240.5 milionë euro investime

"Refinery Associates of Texas" (RAT), kompani e cila ka fituar tenderin për furnizimin me karburant të avionit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po kjo kompani furnizon me karburant edhe ushtrinë amerikane. RAT është kompani tregtare vetëm për produktet e naftës, me një shitje vjetore prej 120 milionë dollarësh, ndërsa renditet e treta më e madhe e naftës në SHBA.

Kualifikuar 69.49 pikë

"Vitol Us Balkan Funds Euroil"

- 100 milionë euro oferta

- 222 milionë euro investimet

Shoqëria "Vitol", themeluar më 1966-ën është një nga grupet private më të mëdha në botë për sa i përket tregut të energjisë. Kapaciteti i shoqërisë është rreth 200 milionë tonë naftë në vit, me të ardhura mbi 100 miliardë dollarë. "Vitol" përbëhet nga disa kompani, secila prej tyre e përbërë nga profesionistë të energjisë me një eksperiencë të gjerë në biznesin e transportit të naftës.

Kualifikuar 30,52 pikë

"Petrofac Energy Development Corp"

- 30 milionë euro oferta

- 66 milionë euro investime

"Petrofac", e themeluar në Teksas (SHBA) 1981, përbëhet nga një grup kompanish, të cilat operojnë kryesisht për fushën e naftës dhe gazit. Në vitet pas themelimit, kompania u rikrijua në "Petrofac International" dhe më pas, 2005 u bë një ndër kompanitë më të fuqishme në botë, me "Petrofac Limited". Zyrat qendrore ndodhen në Britani dhe në disa vende arabe. Kompania zotëron aksione në disa vende për zhvillimin e sektorit të naftës.

Skualifikuar

"Penta Investment Group"

- 10 milionë euro oferta

- 198.4 milionë euro investimet

"Penta" është kompani çeke, themeluar në vitin 1994 dhe operon kryesisht në tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Prej vitesh është marrë me blerjen e kompanive të mëdha dhe të mesme, me projekte ristrukturuese, ku më pas në vitin 2005 ka hyrë edhe në zonën e pronave të patundshme. Kompania është e fokusuar kryesisht në shtete si Çekia, Sllovakia dhe Polonia, ku numri i të punësuarve është rreth 20 mijë vetë.

Fituesit: Gati të derdhim 125 milionë eurot

Kompania që u rendit e para nga KVO për sa i përket privatizimit të ARMO-s, "Refinery Associates of Texas" dhe "Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", ka shprehur dje gatishmërinë për të derdhur menjëherë paratë, direkt pas nënshkrimit të kontratës për 85% të aksioneve. Kështu kompania fituese u shpreh se, "125 milionë euro do t‘i paguhen menjëherë qeverisë shqiptare, me firmosjen e marrëveshjes. Do të ketë vendime sociale të rëndësishme për punëtorët, rritje pagash, shtim të tyre etj".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›