Josa: Objektivi është Evropa
Mirel Josa është prezantuar dje si trajneri i ri i skuadrës së Elbasanit, duke i dhënë rrugë ndërtimit të ekipit për sezonin e ri. Tekniku kryeqytetas ka bërë të qartë se ajo që e ka bindur më shumë ishin synimet e drejtuesve të Elbasanit që dëshirojnë një skuadër pretendente që të sigurojë pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. "Zgjodha Elbasanin për emrin e mirë dhe ambiciet që ka skuadra e futbollit, respektova kërkesën dhe vlerësova ofertën më të mirë. Është e natyrshme që tani jam në kërkim të lojtarëve më të mirë, por kurrsesi nuk jam për prishjen e bërthamës së këtij ekipi, ambiciet e të cilit përputhen me ambiciet e mia. Do të jemi në luftë të vazhdueshme deri në fund, për të qenë në zonën e Kupave të Evropës", deklaroi Josa në prezantimin e tij para mediave. Drejtuesit e skuadrës kanë konfirmuar se faza përgatitore do të zhvillohet në Pogradec dhe Maqedoni.