E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, vazhdon gara e privatizimit për 4 kompanitë e huaja

Nuk ka ndryshuar numri i kompanive që do të vazhdojnë garën për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në KESH. Ministria e Ekonomisë, me anë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, paralelisht me ARMO-n, ka shprehur qëndrimin për fazën e parë, parakualifikuese për katër kompanitë e huaja. Në përputhje me udhëzimet për ofertuesit e mundshëm, KVO-ja shqyrtoi secilën nga aplikimet parakualifikuese për të përcaktuar nëse ato ishin të plota dhe të rregullta, nga ku u mësua se, që të katër aplikimet parakualifikuese janë në përputhje me kërkesat. Kështu, shoqëritë EVN AG, ENERGIE STEIERMARK AG, CEZ a.s. dhe ENEL S.p.A. kanë kaluar fazën e parë duke u cilësuar si të gjithë si "Ofertues i Parakualifikuar". "Në përputhje me udhëzimet për kompanitë e huaja që kanë kaluar fazën e parë, ato do të njoftohen nga ministri i Ekonomisë me ftesë zyrtare për të paraqitur ofertat e tyre për fazën konkurruese, e cila do të përfundojë në fillim të muajit shtator 2008", thanë dje burime të ministrisë. Në këtë mënyrë, qeveria synon të rrisë çmimin e shitjes me anë të konkurrencës që sjell prania në garë e të katërta kompanive, tepër të njohura në arenën ndërkombëtare në fushën energjetike.

Po dje, KESH ka zhvilluar tenderin për blerjen e energjisë elektrike për periudhën korrik-dhjetor 2008, me vlerë rreth 77 milionë euro. Shoqëritë që morën pjesë në tender ishin "Rudnap" Serbi, EGL Zvicër, EFT Zvicër, GEN-I Beograd, RE Ceki, GSA Shqipëri dhe CEZ Serbi. Sasinë më të mëdha e kanë ofruar serbët e "Rudnap", mesatarisht për 80 mijë MW energji elektrike, e për rrjedhojë me faturën më të lartë. KESH do të vendosë pas dy javësh për kompanitë fituese të tenderit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›