E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO hedh në treg eurodiezelin shqiptar

19/03/2009  Tre muaj pas privatizimit kompania tashmë private risjell naftën shqiptare

Taçi: Kjo nuk është arritje vetëm për kompaninë, por edhe për vendin tonë

Tre muaj pas privatizimit, kompania ARMO hedh në treg për herë të parë pas 30 vjetësh naftën e cilësisë së parë, e njohur si eurodizel. Nafta vendase ka një përqindje shumë të vogël squfuri dhe kjo do të thotë se cilësia e saj është shumë më e mirë se eurodizeli i importit. Ka qenë vetë drejtuesi i kësaj kompanie, Rezart Taçi, i cili ka informuar klientët dhe konsumatorin shqiptar. “Për herë të parë pas 30 vjetësh kompania ARMO arriti të prodhojë eurodizelin e standardeve evropiane. Nga analizat e bëra rezulton se eurodizeli prodhuar në rafinerinë e Ballshit, ka parametra më cilësore se eurodizeli që importohet aktualisht nga tregjet ndërkombëtare. Ky rezultat është arritur pavarësisht naftës bruto të vendit, e cila ka një nivel shumë të lartë squfuri në përbërjen e tij”, - theksoi në fjalën e tij Taçi. Për ndryshimin e teknologjisë në prodhimin e kësaj cilësie eurodizeli, sipas tij, kompanive evropiane u është dashur rreth 15 vjet. “Ndërkohë që konsorciumi e realizoi atë vetëm tre muaj nga blerja e kompanisë ARMO. Ky rezultat u arrit jo vetëm falë investimeve të realizuara nga ana e konsorciumit, por dhe punës inovatore të stafit të inxhinierëve dhe përkushtimit të punonjësve të rafinerisë së Ballshit”, - tha Taçi. Drejtuesit e kompanisë ARMO bëjnë të ditur se hedhja në qarkullimin e eurodizelit vendas do të ndikojë në uljen e çmimeve, çka do të jetë me përfitim për konsumatorët. “Serioziteti në përmbushjen e këtij detyrimi garanton jo vetëm prodhimin e një nafte eurodizel të cilësisë shumë të lartë, por me kryerjen e investimeve të parashikuara nga kompania, do të arrihet dyfishimi i kapaciteteve prodhuese, e cila do të reflektohet drejtpërdrejtë në uljen e çmimit, pra dhe në xhepat e konsumatorit. Kemi kënaqësinë të deklarojmë se kjo nuk është arritje vetëm për kompaninë ARMO, por edhe për vendin tonë, i cili që sot bëhet pjesë e familjes evropiane për një ambient të pastër dhe energji eficente”, - tha Taçi.

Elementi mjedis

Kompania synon përmirësimin e parametrave të cilësisë së naftës. “Objektivi kryesor i kompanisë është që për një periudhë të shkurtër kohe të arrijë të prodhojë eurodizel deri afër nivelit 0 të përqindjes se squfurit në përbërje të tij”, - theksoi në fjalën e tij, Rezar Taçi. Për të mundësuar prodhimin e eurodizelit, konsorciumi, “Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group”, i cili është edhe pronari i ri i kompanisë ARMO po realizon një investim, që vetëm në dy vitet e parë do të arrijë në 100 milionë euro. Qeveria mori vendimin vjet për të lejuar qarkullimin në tregun vendas të karburanteve të naftës së vendit D2 edhe për një vit, pra deri në 2010, veprim nuk u mirëprit në atë kohë nga grupe të ndryshme interesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›