E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, dega e thesarit çel fondin

19/03/2009  Vonesat e deritanishme janë shkaktuar nga parregullsitë e përfituesve në llogaritë bankare

AKKP-ja ka çelur fondin për kompensimin financiar të 163 ish-pronarëve

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka çelur fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Zyrtarë të kësaj agjencie pohojnë se prej ditës së martë janë kryer veprimet nga dega e thesarit me një prej bankave të nivelit të dytë në kryeqytet. Në këtë mënyrë, në llogaritë e secilit prej ish-pronarëve që u shpallën fitues për kompensimin financiar për vitin 2008 ndodhen paratë që mund t’i tërheqin në çdo kohë.

Kompensimi

Aplikimi u bë deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Në përfundim të seleksionimit nga 740 kërkesa të administruara kanë rezultuar fitues 163 subjekte të shpronësuar sipas renditjes kronologjike. Në dispozicion të tyre nga buxheti i shtetit u vu një shifër prej 5 miliardë lekësh ose rreth 500 milionë dollarë. Lajmin e ka pohuar vetë kreu i Agjencisë së Pronave, Elvis Çefa. “Subjektet fituese janë shpallur dhe janë deklaruar rregullisht që në datën 2 shkurt”, - ka pohuar për gazetën “Metropol”. Sipas tij, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka hartuar, ndërkohë vendimet përkatëse për këto subjekte fituese dhe për subjektet e tjera jofituese, sipas kompetencave që u ka dhënë ligji. Nga AKKP-ja është përfunduar vlerësimi i kërkesave të subjekteve të shpronësuar për përfitimin nga fondi prej 500 milionë lekësh të vëna në dispozicion nga Qeveria për kompensimin financiar. Të martën ka nisur veprimi nga zyrat e Financës me thesarin për të bërë të mundur kalimin e shumave përkatëse në llogaritë e individëve. Gjithsesi ai nuk bën me dije sa është shuma që do të përfitojë secili prej këtyre ish-pronarëve, informacion ky që është tepër konfidencial. Një prej faktorëve që ka ndikuar në vonesat e deritanishme, sipas Çefës, janë parregullsitë prej vetë përfituesve në paraqitjen e llogarive financiare. “Ka pasur raste kur numrat e llogarive janë paraqitur me mungesa ose gabime, ka pasur dokumentacion identifikues jo të plotë ose kanë hapur më shumë se një numër llogarie”, - është shprehur Çefa. Për vitin 2009 Qeveria ka kaluar në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave një fond prej 600 milionë lekësh, shpërndarja e të cilit do të fillojë së shpejti pas daljes së VKM-së përkatëse.

Mangësitë në dokumentacion

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave fton personat dokumentacioni i të cilëve ka rezultuar me mangësi hartografike që të paraqesin menjëherë kërkesën e tyre në këtë institucion për të bërë saktësimin e hartave. Ky institucion do të nisë një riklasifikim të tyre në mënyrë që të trajtohen me kompensimin financiar të radhës. Të gjithë aplikuesve, sipas krerëve të AKKP-së, do t’u dërgohet në adresat e depozituara vendimi i marrë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin financiar. Në këtë material do të përfshihen gjithë sqarimet e nevojshme. Vendimi i fundit përfitues nga ky fond, sipas burimeve të Agjencisë së Pronave, daton më 26 korrik 1995.

Aplikimi për këtë vit

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave fton personat që kanë aplikuar, por që rezultojnë jofitues të fondit të vënë në dispozicion për vitin 2008, që me daljen e VKM-së për procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit financiar të vitit 2009, të paraqesin në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vetëm kërkesën dhe deklaratën me shkrim. Madje, sipas zyrtarëve të AKKP-së, këta persona nuk do të paguajnë tarifën e përcaktuar.

Arsyet e skualifikimeve

Subjektet, të cilët kanë paraqitur vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 26 korrik 1995 dhe nuk janë në listën e fituesve, janë skualifikuar për arsye se kanë pasur vendime për kthim prone. Ata ose një pjesë e trashëgimtarëve të tyre janë trajtuar me tokë nga ligji 7501, ose kanë pasur probleme thelbësore hartografike në vendimet e tyre, ose kanë pasur mungesë të dëshmive të trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e subjektit përfitues që nuk jetojnë më.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›