Kapet peshkaqeni i dytë në Vlorë
19/03/2009 VLORE- Pas më pak se dy muajsh kur u kap një peshkaqen me një peshë me shumë 3 kuintal, një tjetër peshk gjigant ka rënë përsëri në rrjetën e peshkatarëve të Vlorës. Ekuipazhi i një anijeje peshkimi kapi mbrëmjen e djeshme një peshkaqen 4 metra dhe me peshë 300 kg, në hapësirën detare mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit, rreth 15 milje në perëndim të bregdetit të Vlorës. Sipas kapitenit të ekuipazhit të peshkarexhës “De Rada”, peshkaqeni u kap mbrëmjen e të martës jo shumë larg ishullit të Sazanit. Gjatë kësaj kohe, ai kishte dëmtuar një pjesë të madhe të peshqve, që ndodheshin në rrjetë. Sipas disa të huajve që gjendeshin në port në momentin që mbërriti anija, bëhet fjalë për një peshkaqen dhelpër. Nuk hyn te speciet e rrezikshme për shkak se nuk kishte dhëmbë si ato të peshkaqenëve të tjerë, por gjatë kohës që është kapur ka bërë shumë rezistencë duke krijuar vështirësi në futjen në peshkarexhë. Pas kapjes, peshkatarët e kanë copëtuar për t’u çuar në tregun vendas.