ARMO, ministria tregon spiunët
Përpara tenderit për privatizimin e kompanisë së përpunimit të naftës ARMO, ka pasur përpjekje për rrjedhje informacioni. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. "Është tentuar të vidhen informacione që shihen si konfidenciale. Është tentuar të hyhet për të marrë informacion dhe për t'i bërë presion komisionit për të ndryshuar punën e grupit", është shprehur ai. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo, sipas Alibalit, falë punës së mirë të kryer me strukturat përkatëse. Madje, sipas tij, një gjë e tillë nuk ka cenuar mbarëvajtjen e procesit. Vetëm dy ditë më parë qeveria miratoi kontratën e privatizimit të 85 për qind të aksioneve të shoqërisë ARMO.