Faturat e dritave, 15 ditë kohë për faljen e kamatëvonesave
Falen kamatëvonesat e energjisë elektrike. Por nga ky lehtësim do të përfitojnë vetëm ata konsumatorë, të cilët do të paguajnë faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Afati përfundimtar për pagesën e tyre është data 20 shtator. Në një deklaratë për mediat, kreu i OSSH-së, Sahit Dollapi tha se, "të gjithë konsumatorët familjarë që nuk kanë paguar faturën e energjisë të konsumuar nga janari 2008, mund ta paguajnë atë pa kamatëvonesë deri në datën 20 shtator. Pas kësaj date konsumatorët nuk do të kenë mundësi të paguajnë pa kamatëvonesë". Por sipas Dollapit, nga ky vendim nuk përfitojnë konsumatorët, të cilët rezultojnë të jenë debitorë që nga vitet 2005, 2006, 2007. "Kamatëvonesat e tyre vazhdojnë të mbeten të ngrira deri në një vendim tjetër", theksoi drejtori i OSSH-së. Po dje, kreu i këtij operatori publikoi edhe rezultatet e 8-mujorit. Duke i cilësuar si rezultate të kënaqshme, Dollapi tha së në total arkëtimet janë realizuar 97 për qind, ose rreth 5 për qind më shumë se sa planifikimi i muajit. Konkretisht për sa i përket konsumatorëve familjarë arkëtimet janë në masën 80 për qind, ndërsa për konsumatorët privatë niveli i arkëtimeve për këtë 8-mujor është 97 për qind. "Përsa i përket treguesit të humbjeve, në muajin gusht niveli i tyre ka arritur 26.6 për qind, ose sa ishte dhe objektivi i këtij muaji", tha ai. Por, pavarësisht këtyre rezultateve, ende ka shumë punë për të bërë. Përmirësimi i treguesve financiarë, siç janë arkëtimet dhe humbjet, janë dy detyrat kryesore që OSSH-ja duhet të përmbushë përpara privatizimit të saj. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët. Tenderi për privatizimin e kësaj kompanie pritet të zhvillohet së shpejti. Aktualisht kompanitë e parakualifikuara (i) ENEL S.p.a, (ii) ENERGIE STEIERMARK AG, (iii) EVN AG dhe (iv) CEZ, janë duke përfunduar procesin e due diligence-s për përgatitjen e ofertave, të cilat do të paraqiten në datën 15 shtator 2008. Procesi i privatizimit të OSSH-së është parashikuar që të mbyllet këtë vit.