E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të tërhiqet nga presioni abuziv mbi mediat

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar dje ndaj gjobës së KKRT-së për disa televizione, të cilat kanë transmetuar një spot televiziv të Lëvizjes G99. Në një konferencë të posaçme për shtyp, kreu i PS-së i ka bërë apel Kryeministrit Berisha që të korrigjojë, sipas tij, këtë gabim trashanik të shkeljes së barazisë së subjekteve politike e shoqërore në hapësirën e mediave elektronike të vendit. "Dua t'i bëj sot një apel Kryeministrit Berisha për të hequr dorë nga presioni abuziv mbi ato media, që në ushtrim të lirisë së tyre kushtetuese e ligjore transmetuan një spot kritik të një organizate shoqërore jofitimprurëse ndaj qeverisë", theksoi Rama. "Dua t'i bëj sot apel Kryeministrit Berisha për të mos e provokuar më tej opozitën, duke përdorur lekët e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike", theksoi më tej kreu i PS. Gjithashtu Rama i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që të ndalohet me ligj për të gjitha subjektet politike, ose të lejohen njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, spotet televizive jashtë periudhës elektorale të përcaktuar nga ligji. Gjithashtu, sipas tij të mos ketë asnjë kufizim ligjor për spotet sensibilizuese të subjekteve të shoqërisë civile për problemet e vendit e të qeverisjes së tij në nivel qendror e vendor. "Të përcaktohet qartë me ligj lloji dhe kohëzgjatja e njoftimeve të qeverisë apo institucioneve shtetërore përmes spoteve televizive. Të ndalohet dhuna ndaj mediave përmes gjobave arbitrare të shumicës politike të KKRT, që përfaqëson qeverinë në atë institucion", theksoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›