Zogaj: “Të rikthyerit, garë me rregulla në PD”
Partia Demokratike duhet të ketë rregulla të qarta dhe të vlerësojë me votë historitë e të rikthyerve në parti. Kështu ka deklaruar dje deputeti demokrat, Preç Zogaj në një prononcim për gazetën lidhur me procesin e afrimit pranë Partisë Demokratike të disa prej të larguarve prej saj. "Politika e dyerve të hapura nuk ka kushte dhe kritere të tilla, por këtu problemi është që PD të ketë rregulla të qarta gare dhe konkurrence dhe të jetë vota që t'i vlerësojë historitë personale apo historitë e tjera", shprehet Zogaj. Sipas tij, tashmë kemi hyrë në një vit elektoral dhe të gjithë po vrasin mendjen për të ardhmen, duke kërkuar zgjidhjet më të përshtatshme për të ardhmen. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga maxhoritar i korrektuar me proporcional, në proporcional rajonal vë në dyshim ekzistencën e partive të vogla, aq më tepër të atyre partive, të cilat nuk kanë elektorat të qëndrueshëm. "Do të doja të thosha, që viti elektoral ka startuar dhe të gjithë po vrasin mendjen për të ardhmen dhe po kërkojnë zgjedhjet më të përshtatshme për të ardhmen. Kështu që edhe kthimet e reja janë pjesë e këtij procesi, duke mbështetur dhe duke inkurajuar këto procese natyrisht ne nuk mund të mos themi se as largimi dhe as kthimi nuk kanë qenë njëlloj", thekson më tej Zogaj. Por sipas tij, në gjithë këtë proces, ka njerëz që kanë ikur nga PD-ja në kohë shumë të vështira për këtë parti, sikundër ka të tjerë që janë larguar për parime.