“ARMO”, opozita akuzon qeverinë për favorizim
Eljona Ballhysa
Deputetët e maxhorancës e kanë miratuar të vetëm kontratën e shitjes së 85 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës, “ARMO”. Diskutimi i ratifikimit të kontratës së shitjes së ARMO-s është karakterizuar nga debate midis opozitës dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Deputetët e opozitës e kanë akuzuar qeverinë për mungesë transparencë gjatë procesit të privatizimit dhe për favorizim paraprak të kompanisë fituese.
Opozita
Pika më e debatuar e kontratës së shitjes së kompanisë shtetërore “ARMO” ka qenë ndryshimi i vlerës së saj nga euro në dollarë. Gjatë zhvillimit të tenderit çmimi është thënë në euro, ndërsa në kontratë është shkruar në dollarë. Ministri Ruli pranoi se deklarimi verbal ka qenë në euro, por kjo, sipas tij, ka qenë një lapsus njerëzor, pasi në të gjithë dokumentacionin zyrtar vlera rreth 240 milionë figuron në dollarë amerikanë.
Deputeti Petro Koçi, nga ana e tij, ka hedhur dyshime lidhur me shitjen e kompanisë te “U.S. Refinery Associates of Texas”. Ai tha se kompania nuk u shitet amerikanëve, por një kompanie shqiptare. “Çështja e parë që është ngritur gjatë shqyrtimit të kontratës në Kuvend është se ARMO është shitur te kompania amerikane, ndërkohë që kontrata është lidhur me një shoqëri anonime shqiptare, “AMBRA”, që është krijuar dy muaj pas tenderit. Ka gjithmonë tendencë që për disa çështje të mjegullta flitet gjithmonë për investitorë amerikanë, ndërkohë që kontratat lidhen me shqiptarë. Nuk mund të përdoren amerikanët për çdo gjë që bëhet në Shqipëri”, - është shprehur Koçi, ndërsa e krahasoi këtë kontratë me atë të Gërdecit. Ministri Genc Ruli, nga ana e tij, ka replikuar lidhur me këtë pretendim. Sipas ministrit, ligji përcakton që kompania blerëse duhet të krijojë një subjekt rezident në Shqipëri dhe prandaj është edhe AMBRA në mes. Më tej opozita ka kundërshtuar dhe firmosjen e kontratës jashtë afatit të përcaktuar me vendim qeverie. Sipas Gjinushit, vendimi i qeverisë parashikonte që kontrata të firmosej 60 ditë pas hyrjes në fuqi të vendit. Ky vendim është miratuar në datën 18 qershor, ndërsa kontrata është nënshkruar më 22 gusht, pra disa ditë pas përfundimit të afatit ligjor. Sipas deputetëve të opozitës, kontrata është e pavlefshme. Por kjo është hedhur poshtë nga ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Ruli. Ai e është shprehur se kontrata është firmosur brenda afatit, pasi ligji parashikon firmosjen deri në datën 28 gusht. Një tjetër kundërshtim i deputetëve të opozitës ka qenë dhe favorizimi i kompanisë fituese. Sipas deputetit Engjëll Bejtaj, qeveria ka dhënë informacion paraprak për këtë kompani duke e favorizuar atë. Ai ka bërë të ditur se kjo cilësohet vepër penale, përcaktimi paraprak i kompanisë fituese. Ndërsa kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, e ka akuzuar qeverinë për fshehjen e emrit të vërtetë të kompanisë fituese. Sipas tij, fituese është kompania shqiptare “Taçi Oil” dhe jo konsorciumi amerikan.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, vuri theksin në garancinë që jep kjo kontratë për zhvillimin industrial të krahinave që duhet të përfitojnë nga ky privatizim. “Kemi dashur që sektori të marrë një hop zhvillimi dhe në zonat në të cilat shtrihet kjo industri të përfitojnë maksimumin e mundshëm", - u shpreh nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe.
Miratimi
Gjatë seancës së djeshme Kuvendi miratoi me 57 vota pro kontratën e shitjes së kompanisë shtetërore të naftës “ARMO”. Deputetët e opozitës abstenuan, ndërsa 7 të tjerë votuan kundër ratifikimit të kësaj kontrate. Pas ratifikimit të kontratës nga Parlamenti do të jetë Autoriteti i Konkurrencës ai që do të japë vendimin përfundimtar për ndërrimin e pronësisë.
19 Shtator 2008