E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Sot në protestë për zbardhjen e Gërdecit dhe vendosjen e drejtësisë”



Nënkryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar dje që të zbardhet deri në fund ngjarja e Gërdecit. Ai bëri të ditur se kjo është arsyeja pse Partia Socialiste do të protestojë sot në shesh, që të zbardhë të vërtetën mbi Gërdecin dhe që qeveria të sigurojë drejtësi për qytetarët e saj. “Zbardhja ligjore e të vërtetës së Gërdecit është drejtësi. Qeveria po e lufton të drejtën e shqiptarëve për drejtësi, prandaj ne nuk do të protestojmë si hienat mbi kufoma, siç thuhet këtu, por do të protestojmë për të kërkuar drejtësi dhe për ta ndaluar qeverinë që t’i varrosë për së dyti 27 viktimat e Gërdecit”, - është shprehur Braçe. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, Braçe hodhi akuza mbi kryeministrin Berisha, i cili, sipas tij, e mban qeverinë për interesat e një klani gjithnjë e më të vogël njerëzish. “Kryeministri i fshehur nuk mund të na fshehë dot natyrën e qeverisë së tij. Kemi një kryeministër, kemi një qeveri, në këpucët e tij. E gjitha që përmbush me çdo çmim interesat e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish, i cili përzgjidhet nga fisi, nga klani, nga rrjeti e ku qeveria është partnere, duke u ofruar edhe të mirat publike të të gjithë shqiptarëve. Këto interesa janë të paligjshme, këto interesa ushqejnë krimin, luftojnë drejtësinë, vrasin të vërtetën, keto interesa vrasin dëshmitarë”, - është shprehur Braçe. Ai akuzoi qeverinë edhe për faktin se brenda kësaj jave u nda nga jeta dëshmitari kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, një aksident që nuk gëzon vëmendjen e qeverisë. Sipas deputetit të PS-së, kryeministri duhej të ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit dhe të jepte informacion për vdekjen e Kosta Trebickës. “Në mes të kësaj jave u vra një dëshmitar, nesër ka të shtatat, Kosta Trebicka. Që dje, madje, tamam pas ditës së tretë, çudia iku nga ekranet e mediave shqiptare, madje nga vëmendja e qeverisë po e po. Kaq orë vlen jeta e një qytetari të ndershëm që do të kontribuojë në këtë vend, për shkak të krimit, peshës së rëndë të krimit, dëshmisë edhe më të rëndë që e akuzon qeverinë dhe interesat kriminale ku është përfshirë ajo. Do të duhej që kryeministri ynë të qe këtu në Parlament çdo ditë për të dhënë informacione dhe për t’i sqaruar deputetët si dhe popullin e tij lidhur me zhdukjen e këtij njeriu, dëshmitarit të shtetit apo denoncuesit të qeverisë dhe interesave të saj të paligjshme. Kryeministri ynë nuk e bën dot këtë, ai është i kapur”, - është shprehur Braçe.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›