Tendencë uljeje te çmimi i naftës
Çmimi i karburantit do t'i kushtojë shqiptarëve pak më lirë, duke filluar nga sot, por jo aq lirë sa i kushton pjesës tjetër të europianëve. Çmimi i naftës D2 u ul dje deri në 147 lekë në pikat e karburantit nëpër rrethe ndërsa në Tiranë mbetet ende në nivelin e 155 lekëve. Çmimi i naftës D1 në disa pika vijon të kushtojë deri 158 lekë për litër. Media ankohet shpesh se rënia e çmimeve në tregun shqiptar ka qenë dhjetë herë më e ngadaltë sesa rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar, duke akuzuar për këtë mungesën e konkurrencës reale në këtë treg. Gjithsesi, tashmë tendenca e përgjithshme është në rënie.
Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur me vetëm 5-6% gjatë muajit të fundit, në një kohë që në tregun ndërkombëtar, çmimet kanë rënë me më shumë se 40%. Disa dyshojnë se rritja e çmimit në Shqipëri përgjatë të gjithë vitit 2008 nga 130 lekë për litër që qe në shkurt, në 165 lekë për litër që arriti në gusht, qe spekulim në shkallë të gjerë. Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar u shoqërua me rënie të shpejtë të vlerës së dollarit përballë euros dhe për shkak se leku është monedhë e varur nga euro, dollari ra edhe kundrejt lekut.
Në mars të këtij viti, çmimi i naftës në Shqipëri qe 145 lekë për litër, ndërsa në tregun ndërkombëtar po rritej drejt kuotës së 120 dollarëve për fuçi. Tashmë në tregun ndërkombëtar nafta kushton më pak se 100 dollarë për fuçi, gjë që indikon se në tregun shqiptar duhet të ulet deri në 140 lekë për litër.