G99-a, letër Xhafajt dhe Rusmalit për votën e emigrantëve
G99-a kërkon nga Komisioni i Reformës Zgjedhore organizimin e një seance dëgjimore për çështjen e garantimit të pjesëmarrjes së emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lideri i G99-s, Erion Veliaj, i ka dërguar dje një letër dy bashkëkryetarëve të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Fatmir Xhafaj dhe Ilir Rusmali. Në këtë letër, Veliaj kërkon nga krerët e Komisionit që të pranojnë kërkesën për organizimin e një seance dëgjimore, ku do të diskutohet për propozimin e G99-s, që emigrantët shqiptarë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, pikërisht nga vendet ku punojnë dhe jetojnë.
“Siç keni pasur mundësinë të informoheni përmes kërkesës zyrtare që G99-a i dërgoi Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë në korrik 2008, G99-a ka ndërmarrë iniciativën për të garantuar mundësinë e votimit në zgjedhjet e përgjithshme legjislative dhe referendumet kombëtare për bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, nismë kjo që ka gjetur mbështetje të gjerë nga aktorë politikë, shoqëria civile dhe organizatat e emigrantëve shqiptarë. Lëvizja ‘G99’, me ndihmën dhe bashkëpunimin e forcave politike, shoqërisë civile e akademikëve, ka ndërmarrë në muajt e fundit një proces për të analizuar e identifikuar një zgjidhje të mundshme teknike që do të lejonte votimin e shtetasve shqiptarë jashtë atdheut. Në kuadrin e punës së Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë për amendimin dhe finalizimin e Kodit Zgjedhor, lëvizja ‘G99’ i kërkon këtij komisioni që t’i ofrojë mundësinë për një dëgjesë publike, ku do të parashtrohen gjetjet dhe sugjerimet që G99-a ka në lidhje me mundësimin e votës së jashtme”, - thuhet në letrën e Veliajt dërguar bashkëkryetarëve të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
19 Shtator 2008