E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, pajisja me karta, detyrim për qytetarët

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone deklaroi dje procedurat që do të ndiqen për aplikimin e kartave të identitetit

TIRANË- Brenda muajit shtator, Këshilli i Ministrave do të miratojë një vendim të posaçëm, që detyron të gjithë shtetasit shqiptarë të aplikojnë për pajisjen e kartës së identitetit. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, ka deklaruar dje në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore se Vendimi i Këshillit të Ministrave do të bëjë të detyrueshëm aplikimin për kartën e identitetit. Në të kundërt, masat që do të merren ndaj qytetarit do të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mos ofrimi i shërbimeve publike e deri tek mosdhënia e rrogës apo ajo e pensionit. Pone ka njoftuar se detyrimin për t’u pajisur me kartë identiteti do ta kenë rreth 3.2 milionë banorë, me moshë mbi 16 vjeç. “Po të heqim 16-vjeçarët, deri në moshën 18 vjeçare do të pajisen me dokument identiteti më pak se 3.2 milionë, pra afro 3 milionë”,- thaPone. Zv/ministri njoftoi gjithashtu se është parashikuar një periudhë e gjatë sensibilizimi për qytetarët, për t’u pajisur me karta identiteti. E njëjta gjë pritet të ndiqet edhe për emigrantët. “Sa i përket këtyre të fundit, ata në rast se do të vijnë në Shqipëri, do të duhet të tregojnë numrin e aplikimit për kartën kur të dalin. Pra, një nga detyrimet e para të një emigranti kur kthehet në Shqipëri do të jetë që të shkojë të aplikojë për kartë dhe para se të ikë duhet të tregojë në doganë numrin e aplikimit”,- tha Pone.

Procedura e aplikimit

Në çdo njësi aplikimi, sipas zv-ministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone, do të ketë dy persona të autorizuar; a) njëri që është punonjësi i grupimit, pra operatori dhe; b) tjetri, punonjësi i gjendjes civile. Qytetari do të paraqitet tek ata dhe do të dorëzojë të dhënat të cilat konsultohen on-line me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Do të plotësohet gjithashtu në mënyrë elektronike formulari i aplikimit, duke pasur parasysh edhe plotësimin e sistemit të adresave. Formulari i aplikimit do të certifikohet në tre variante: a) qytetari do të firmosë për të dhënat e tij; b) punonjësi i gjendjes civile do ta certifikojë për autenticitetin e të dhënave nga Regjistri Kombëtar dhe; c) punonjësi i kompanisë do ta certifikojë lidhur me të dhënat gjeometrike që merren: fytyra, shenjat e gishtërinjve si dhe firma elektronike.

Lista e zgjedhësve

Lidhur me listën e zgjedhësve, zv-ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone deklaroi se ka përfunduar baza kombëtare e të dhënave, që është Regjistri Elektronik. “Baza kombëtare ka përfunduar dhe ajo përditësohet. Në datën 30 Shtator ne përfundojmë lidhjen on-line me gjithë Shqipërinë. Sapo regjistri të fillojë funksionimin, një nga detyrat e para të tij do të jetë dhënia e numrit të identitetit të shtetasit, që ne do ta përfundojmë në afatin maksimal të mundshëm, më 15 nëntor, por besoj edhe më shpejt”,- tha Pone. Por pavarësisht shpjegimeve që dha zëvendësministri, deputetët e opozitës në komision u shprehën skeptikë për realizimin e këtyre detyrimeve në afatet e përcaktuara. Kështu, bashkëkryetari socialist Fatmir Xhafaj e konsideroi gati të pamundur që të realizohen listat e zgjedhësve 9 muaj para datës së mbajtjes së zgjedhjeve. “Ne nuk marrim garancitë e nevojshme. Po marr vetëm një element, se ne kemi parashikuar së paku nëntë muaj para kemi gati listën e zgjedhësve, pro çfarë kuptova unë këtu, ne o do të bëjmë një dispozitë tranzitore, sepse nuk realizohet që të kemi nëntë muaj regjistrin paraprak kombëtar”, - tha Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›