E Diel, 1 Nëntor 2026

ARMO privatizimi me OK të SHISH

 

Privatizimi i kompanisë ARMO, do të marrë OK nga SHISH dhe agjencitë inteligjente të huaja. Ky është rasti i parë, që për privatizimin e një kompanie, përfshihen zyrtarisht edhe organet e spiunazhit shqiptar dhe ndërkombëtar. Këtë e pohoi dje, vetëm një ditë para dorëzimit të ofertave zv.ministri Alibali.  Ai tha se, nga privatizimi do të zgjidhen vetëm kompani të zotëruara nga investitorë në vende strategjike për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, duket se ministria e ka vendosur që kompanitë lindore, që në pjesën më të madhe janë të lidhura me ato ruse, nuk do të kenë shumë shanse për të blerë ARMO-n. Por gjithçka duket se është vështirësuar ditët e fundit. Për më pak se shtatë ditë, nga 12 kompani të huaja që kishin tërhequr dokumentacionin, numri i tyre u dyfishua, duke arritur në 25 të tilla. Një risi e çuditshme kjo, pasi publikimi i tenderit ka disa muaj që është bërë në revistat dhe gazetat ndërkombëtare. Akoma më i çuditshëm bëhet ky interes i orëve të fundit, po të kihet parasysh se vetëm para 3 javësh, më 29 prill u organizua një takim prezantues me të gjitha kompanitë që kishin shfaqur interes për ARMO-n. Ndoshta kjo është arsyeja e thirrjes së SHISH dhe agjencive të huaja në investigimin e privatizimit.
Zyrtarisht me SHISH
Gjatë muajit të fundit, ndoshta për herë të parë, Shqipëria është përfshirë, në qoftë se mund të etiketohet, në një spiunazh ekonomik, ose industrial. Në fakt, spiunazhi u dekonspirua disi pas deklaratës së SHBA-ve për një "kujdes dhe transparencë nga qeveria shqiptare në privatizimin e ARMO-s". Në fund, para rreth dy javësh, ishte Ministri Ruli, ai që e zbardhi hijen e privatizimit, kur i kërkoi me anë të një letre ambasadës amerikane, hetim për kompanitë që kërkojnë ARMO-n. Por dje, zyrtarisht, Ministria e Ekonomisë deklaroi se, privatizimi në mënyrë të hapur do të kalojë nga SHISH dhe agjencitë e huaja.
"Për shkak të gjeopolitikës ofertat mund të vijnë jo vetëm kompani shumw serioze, por mund tw vijnw dhe kompani fatkeqwsisht tw cilat mund tw kenw qellim tw dytw zhvillimin dhe investimet në ARMO, dhe mund tw ketw kompani me interesa tw tjera.
Më lejoni të theksoj faktin që sidomos ditët e fundit, nga rrethe të caktuar dhe reflektime të tyre, janë rritur në maksimum presionet lobiste në drejtim të privatizimit të ARMO-s. Dua t'ju garantoj që qeveria dhe METE, nuk influencohen aspak prej tyre dhe akuzave të hedhura në opinionin publik. Por do të dëshironim që forca të ndryshme politike për asnjë arsye, të mos përfshiheshin në presione të tilla, të cilat do ta dëmtonin procesin e privatizimit. Privatizimi i ARMO-s është një interes i madh kombëtar. Duke e vlerësuar si të tillë, METE, është e interesuar që fituesi të jetë një kompani e fuqishme, me investime serioze, që t'i shërbejë zhvillimit të Shqipërisë dhe interesave të saj strategjike kombëtare. Për këtë arsye, i kemi kërkuar Shërbimeve Sekrete Shqiptare, si dhe ambasadave të disa vendeve mike dhe aleate strategjike, që të na ndihmojnë me informacionet e nevojshme. Nga ana tjetër, vëzhgimi dhe ndjekja me kujdes prej tyre e këtij procesi privatizimi, është një garanci më tepër për transparencën dhe ligjshmërinë e privatizimit të Kompanisë ARMO". Pra, duket se për herë të parë në historinë e ekonomisë shqiptare kërkohet zyrtarisht certifikimi nga SHISH i një privatizimi. Por hapësira lindore e konkurrimit zvogëlohet edhe më tej nga Alibali, kur ai thekson se informacioni i kualifikuar i është kërkuar vetëm vendeve mike, që sigurisht, pavarësisht retorikës politike, nuk janë nga lindja.
Përplasja
Lindje-Perëndim
Për privatizimin e ARMO, deri dje në mesditë kishin tërhequr dokumentacionin 25 firma. Burime nga Ministria e Ekonomisë tregojnë se firmat janë me kombësi amerikane, greke, angleze, hungareze dhe për çudi (për nga madhësia e ARMO) edhe firma shqiptare. Në Ministrinë e Ekonomisë konfirmojnë, jo zyrtarisht, se mes firmave nuk ka asnjë me kombësi të pastër ruse. Por duket se ky nuk është shpëtimi nga lindja. Në konkurrencë, nga rajoni janë kroatja "INA" dhe grekja "Hellenik petrolium". Por, e vetmja që ka marrë disi "bekimin" e Kryeministrit Berisha, gjatë takimit të dy muajve më parë është amerikania "Refinery Association of Texas". Gjigantja amerikane, renditet ndër 10 kompanitë më të afërta për furnizimin me karburant të Departamentit të Mbrojtjes. Ajo është një ndër prodhueset dhe përpunueset më të mëdha në SHBA. Ajo kontrakton rafineri për të blerë nga to sasi të mëdha karburanti. Por duket se kundërpesha amerikane do të balancohet nga një "nëndetëse" ruse. "Penta Investments", është një konsorcium me qendër në Çeki. E themeluar në vitin 1944, themeli i zhvillimit ekonomik të saj sot, është përfshirja në tregun e kompanive të mesme dhe të mëdha, dhe rishitja e tyre në investitorë më të mëdhenj. Një ndër qendrat e këtij konsorciumi është Moska, çfarë e bën shumë të dyshimtë interesin e saj në Shqipëri.

Berisha mund të kthejë privatizimin

Kryeministri Berisha ka në dorë siguresën e privatizimit të ARMO-s. Edhe në rast se, kompania më e madhe dhe me interes strategjik kombëtar, do të mund të kalonte në duar të gabuara nga Lindja, është Këshilli i Ministrave, që mund të anulojë tenderin dhe ta rikthejë atë sërish nga e para. "Këshilli i Ministrave, ka të drejtë ligjore që në çdo kohë, para shpalljes së fituesit të anulojë procedurën e tenderimit". Në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, janë përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Drejtësisë në rang zv/ministri, si dhe dy përfaqësues të kompanisë konsulente amerikane "Patton Boks", të cilët janë anëtarë të komisionit me të drejta të plota. Pas përfundimit të vlerësimit të ofertave, çdo kandidat, ka të drejtën e apelimit të vlerësimit tek Ministri i Ekonomisë, i cili brenda 10 ditëve shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje.

PS: Shitja e ARMO-s me shumë dyshime

Dy deputetët e Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Kastriot Islami hodhën dyshime në lidhje me procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore ARMO. "Nesër më 21 maj 2008 nis zyrtarisht procesi i privatizimit të kompanisë ARMO. Ky proces është mjaft i vonuar po të kemi parasysh faktin që kompania ishte strukturuar dhe bërë gati për privatizim qysh para vitit 2005 dhe po t'i referohemi premtimeve elektorale e programore të qeverisë Berisha", u shpreh Islami. Deputetët socialistë, në emër të grupit parlamentar akuzuan qeverinë se militantë të PD-së po bëhen aksionerë të kompanisë shtetërore, ndërsa ekspertët dhe specialistët e vjetër të saj po hidhen në rrugë. "Ky proces është qartësisht korruptiv po të kemi parasysh menaxhimin e burimeve njerëzore, konkretisht largimin e ekspertëve dhe të specialistëve dhe mbajtjen në punë të militantëve të PD të punësuar përmes fryrjes së organikave pas vitit 2005. Ky proces ka ulur ndjeshëm vlerën e kompanisë, duke vënë në rrezik funksionimin e saj, por mbi të gjitha duke synuar të kthejë në aksionerë militantët e PD-së dhe disa drejtues të saj të korruptuar", u shpreh Islami. Socialistët paralajmëruan se një proces i tillë mund të krijojë tensione sociale, pasi rrezikon mbijetesën e 500 familjeve.

Zgjidhni Perëndimin, siç bëri qeveria “Nano” me "Kursimet"

Kjo ndoshta është hera e parë, që pas vitit 1990 që Shqipëria duhet të zgjedhë, mes Perëndimit dhe Lindjes. Vlerësimi i ofertave të ARMO, në fakt është shumë teknik, 75 për qind të pikëve i merr oferta monetare dhe 25 për qind plani i biznesit, pra mënyra e zhvillimit të kompanisë. Interesi për ARMO-n i kalon vlerat monetare. Paratë që do të marrë qeveria nga shitja e ARMO-s, pavarësisht vlerës së saj, janë shumë të vogla dhe të pavlefshme për Shqipërinë në aspektin strategjik. Në rast se kompania ARMO kalon në duart e lindorëve, atëherë vendi ka humbur partnerët e tjerë, të cilët sigurisht nuk do ia falnin një gabim të tillë. Pra, në rastin e ARMO-s, pavarësisht vlerave financiare, që do të përdoren për buxhet suplementar ose jo, më e rëndësishme është pozicionimi i Shqipërisë. Vendi e pati një rast të ngjashëm rreth 5 vite më parë. Në atë kohë, vendi administrohej nga Qeveria Nano. Kjo e fundit, e gjeti rrugën mes ligjit të privatizimit të Bankës së Kursimeve, për të zgjedhur një bankë Perëndimore, pavarësisht ankesave të hungarezëve. Paratë që mori Shqipëria nga privatizimi, (në atë kohë Banka e Kursimeve zotëronte rreth 65 për qind të tregut bankar, dhe vetëm nga blerja e bonove të thesarit ndoshta mund të fitonte dyfishin e çmimit që pranoi qeveria Nano), nuk dihet se për çfarë janë shpenzuar. Ajo qeveri nuk mund të thotë sot se, me këto para është bërë kjo rrugë, apo është ndërtuar ky hidrocentral, apo kjo vepër publike. Ajo qeveri mban në memorje vetëm zgjedhjen e një banke serioze nga Perëndimi, dhe për këtë ka meritë. Prandaj, duket i çuditshëm reagimi, i djeshëm i Islamit, në atë kohë ministër Financash, kur ankohet për çmimin e shitjes së ARMO. Qeveria duhet të zgjedhë Perëndimin. Për këtë do të vlerësohet ose jo. Pjesa tjetër është politikë dhe harrohet sa po mbyll televizorin apo gazetën.              R.Gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›