E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pollo agresion ndaj universiteteve”

Rinisin përplasjet mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës. 

zirina llambro

Rektori i këtij universiteti Dhori Kule, hodhi dje gjatë një konference për shtyp një sërë akuzash drejtuar ministrit të Arsimit Genc Pollo. Sipas Kules, pavarësia e universiteteve po cenohet dukshëm. "Projekt vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të drejtat, detyrat, procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit në universitete është një agresion kundër pavarësisë se universiteteve", deklaroi rektori i UT në emër të Shoqatës së Rektorëve. Për ta, ky projektvendim është i papranueshëm. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule i kërkoi Ministrisë së Arsimit të sillet në mënyrë të ligjshme duke diskutuar projektligjin në fjalë me institucionet që ai prek.  "Është një koncept parimor, vetëm kështu ruhet autonomia e insitutcioneve të arsimit të lartë. Për t'u realizuar misioni që ne kemi, duhet të zbatohet", është shprehur Kule. Zgjidhja e këtij ngërçi sipas rektorëve do të ishte njohja që nga pedagogët e deri tek organet kolegjiale me aktet nënligjore që hartohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas tyre, Këshilli i Arsimit të Lartë, i cili konsulton ministrinë dhe harton këto akte nënligjore nuk ka marrë asnjëherë mendimin e rektorëve aktualë të universiteteve publike. Ky këshill që ka në përbërje humbësit e zgjedhje të janarit në universitete ka për qëllim  të pengojë fituesit. "Duan të na pengojnë për të thënë që fituesit s'po realizojnë dot premtimet. Kjo situatë duhet të ndryshojë me patjetër. Ne si institucion i kemi parë të gjitha aktet dhe kërkojmë që ato të ndryshojnë", u shpreh në emër edhe të kolegëve të tij rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule. Për këto deklarata të rektorit të universitetit më të madh në vend nuk pati asnjë reagim nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ajo mbeti indiferente ndaj të gjitha akuzave që kreu i UT bëri për ministrin Pollo, publikisht dje. Përplasjet mes universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit janë të hershme. Por kjo është hera e parë pas zgjedhjeve të dhjetë janarit për drejtuesit e rinj, që rektorët dalin hapur kundër vendimeve të MASH drejtuar nga Pollo. "Për rektorët mbetet një problem madhor mënyra sesi trajtohen nga drejtuesit e ministrisë. Prej tyre nuk shihen si partnerë. Ata nënvizojnë se "shkeljet" e MASH janë të verifikueshme kollaj. Shembull konkret është neni për financat, sipas të cilit çdo fakultet duhet t'i kryejë vetë veprimet financiare. Në bazë të nenit 78, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të miratojnë buxhetin sipas rregullores së tyre dhe janë autonome në menaxhimin e fondeve. Por realisht fakultetet janë të bllokuara, s'ka filluar ende ekzekutimi i financave, sepse nuk jepet urdhri te Thesari që fakultetet të kryejnë shpenzimet siç i ka miratuar Këshilli i Administrimit i Universitetit të Tiranës. "Është kompetencë që ua garanton ligji, por që ua mohojnë strukturat administrative", theksojnë rektorët.

Bllokimi i Masterave e doktoraturave

Një shqetësim i ngritur nga rektorët janë dhe procedurat e doktoraturave dhe masterave. Ata pretendojnë se duke u bazuar në ligjin e arsimit të lartë, doktoraturat duhet të vazhdonin me procedurat e mëparshme. Por me aktin nënligjor të hartuar nga MASH ligji kapërcehet dhe bllokon këtë cikël, studimet në të gjitha universitetet publike. Sa i përket masterave, sipas rektorëve, disa fakultete kanë mastera të konfiguruara dhe me status ndërkombëtar, por me aktet e Ministrisë së Arsimit pengohen të funksionojnë. "Kriteret e sjella nga Ministria e Arsimit janë pa logjikë dhe interpretojnë më keq s'bëhet Kartën e Bolonjës", u shprehën drejtuesit e Universiteti të Tiranës. Por ndërkaq MASH është e vendosur se kriteret e përcaktuara për ndjekjen e masterave dhe doktoraturave janë brenda standardeve. Me udhëzimet e nxjerra prej saj, ajo u kërkon universiteteve të përshtatin kurrikulat sipas standardeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›