ARMO, punëtorët protestë: Po vidhet pasuria
FIER - Mbi 500 punëtorë, të cilët punojnë aktualisht në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, Ballsh, protestuan dje paradite pranë hyrjes së këtij Kombinati. Edhe pse ky i fundit është privatizuar një muaj më parë, kjo nuk i ka penguar punonjësit që të dalin në protestë, e cila ishte më e madhja e gjithë protestave që kanë bërë këta punonjës gjatë kohës që shumë prej tyre kanë dalë në asistencë, muaj më parë. Protesta zgjati rreth 2 orë dhe më pas punonjësit u shpërndanë, ndërkohë që shumë prej tyre janë larguar në vendet e punës. Mësohet se Kombinati i Naftës, aktualisht ndodhet prej një muaji në remont. Protestuesit e shumtë, të mbledhur para hyrjes kryesore të Kombinatit, bllokuan edhe rrugën kryesore, për të mos lejuar asnjë mjet që të futej në ambientet e brendshme. Nga ky tubim, protestuesit i dërguan një letër me tetë pika Kryeministrit shqiptar, e cila u lexua para tyre. Ata i bënin të ditur Kryeministrit se në Kombinat janë 60 milionë euro mall, e cila është një pasuri e popullit shqiptar dhe po vidhet nga kompania që e ka privatizuar shoqërinë ARMO. Këtë fakt ata e ilustrojnë me bllokimin që i është bërë një treni me 6 cisterna nga policia e objekteve, duke tentuar të dalë nga uzina. Lidhur me këtë fakt, drejtuesit e kësaj policie, me kontratë të marrë nga Policia e Shtetit, konfirmojnë se, mesnatën e kaluar, nuk është lejuar të kalojë një tren me një sasi prej 360 tonë karburant naftë. Sipas tyre, shoqëruesit të këtij treni i është kërkuar nga policia e objekteve fatura ku janë xhiruar paratë në bankë për pagimin e kësaj sasie karburanti, siç është vepruar zakonisht në këto raste, sipas policisë, por nuk ka pasur asnjë dokument ose mandat arkëtimi, të lëshuar nga banka. Në këto kushte, policia nuk e ka lejuar të kalojë dhe për këtë ka vendosur edhe bllokimin e lëvizjes së trenit në destinacion, duke e ruajtur me policë deri në zgjidhjen e këtij problemi. Në letrën drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, ata janë shprehur se ish-drejtori i këtij kombinati është larguar në mënyrë brutale nga përfaqësuesit e kësaj kompanie, i cili, sipas tyre, duhet të dorëzonte të gjithë mallin që ka kjo uzinë në depozitat e saj, e cila nuk është pjesë e kontratës që firma private ka lidhur me shtetin. “Gjithashtu, - shprehen ata në këtë letër, - pse, zoti Kryeministër, u bllokua shitja e karburantit në momentin, kur gazoili ishte me çmim 135 lekë dhe shitet sot, kur çmimi është 102 lekë, dhe humbja është rreth 7-8 milionë euro, para të cilat janë pasuri e shtetit”?.