E Diel, 1 Nëntor 2026

Elsie: Më i vështiri mbetet Fishta

Robert Elsie prezanton antologjinë me poezi shqiptare “Lighing from the depths”. Vepra përmban krijimet e përkthyera në anglisht të 50 autorëve shqiptarë

Albanologu Robert Elsie prezantoi dje në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, punën e tij të fundit, antologjinë e pozisë shqipe “Lightning from the depths –an anthology of Albanian Poetry”. Ai bën me dije se ky titull është marrë nga një varg i lirikut të madh Lasgush Poradeci, i cili për Elsie-n së bashku me epikun e madh, At Gjergj Fishta, mbeten dy poetët më të vështirë shqiptarë për t’u përkthyer në gjuhën angleze.

Antologjia përmban 250 poezi të përkthyera në gjuhën angleze dhe përfshintë gjitha periudhët e krijimtarisë shqiptare, që nga fillesat e saj me tekstet orale e deri tek poezia e ditëve të sotme. Një pasqyrë e këtij udhëtimi në shekuj. Elsie dhe kolegia e tij Janice Mathie-Heck me të cilën ka bashkëpunuar për përkthimin e disa autorëve shqiptarë, poetë dhe prozatorë, ka bërë përzgjedhje nga një lëndë letrare të shtrirë në kohë me pjesë nga eposi i kreshnikëve, vargje të hershme të Lekë Matrëngës, poezi arbëreshe, poezi të periudhës së Rilindjes,ku autori nuk mund të rrinte pa përfshirë “Bagëti dhe bujqësi” apo “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit. Duke qenë se historia e Shqipërisë, tradita e saj, ruan gjurmë të theksuara të kulturës otomane, albanologu kanadez nuk kishte s’i të linte jashtë korpusin poetik të të quajturës “letërsi e bejtexhinjve”, me përfaqësues si Hasan Zyko Kamberi.

Në këtë antologji të katërt me poezi shqipe që Robert Elsie i servir botës anglishtfolëse janë përfshirë 50 autorë shqiptarë, At Gjergj Fishta, Jeronim De Rada, Jul Variboba, Asdreni, Naim Frashëri, Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, deri tek brezi më i vonë i poetëve si Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Ervin Hatibi etj. Dr. Elsie thotë se ka pasur dëshirë që të botojë një vepër të tillë gjithëpërfshirëse pasi bota e njeh shumë pak letërsinë shqipe. Më tej ai tregon për përzgjedhjen e autorëve të kësaj antologjie dhe i përgjigjet pyetjes përse vazhdon të ekzistojë tek ne fenomeni i vlerësimit të letërsisë mbi bazë të kritereve jashtëletrare.

Mbi çfarë kriteresh e keni bërë përzgjedhjen e autorëve?

Kryesorja ka qenë cilësia e poezisë. Pastaj ishte dhe cilësia e poetëve në përkthim. Disa poetë përkthehen, disa nuk përkthehen. Një poet mund të jetë shumë i bukur në shqip por kur përkthehet në një gjuhë tjetër nuk përcjell të njëjtin emocion si në gjuhën origjinale. Nga ana tjetër duke qenë se letërsia shqiptare njihet shumë pak në botën e jashtme në përgjithësi dhe në botën anglishtfolëse në veçanti doja të prezantoja autorët më të njohur.

Cili ka qenë autori më i vështirë për tu përkthyer ?

Më i vështiri për mua, them, se ishte At Gjergj Fishta. Por edhe përkthimi i Lasgush Poradecit nuk ka qenë i thjeshtë.

Ju ka ngelur peng ndonjë autor që e keni lënë jashtë?

Po ka disa. Një antologji nuk mund të përmbajë më shumë se 50 autorë. Këtë e kam shlyer duke i botuar në faqen time në internet. Aty kam botuar të gjithë autorët shqiptarë që i kam përkthyer në anglisht.

Përse në letërsinë shqipe vazhdon të ekzistojë fenomeni i vlerësimit të saj mbi bazë kriteresh jashtëletrare?

Nuk e di. Mua më duket se kjo është një çështje e brendshme në Shqipëri, si për shembull, armiqësitë midis shkrimtarëve. Do të ishte më mirë që autorët të vlerësohen për letërsinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›