E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, ja rruga ligjore për ndryshimin

 

Ndryshimi mund të vijë si propozim i një deputeti të veçantë, ose përmes komisionit për reformën zgjedhore

TIRANË- Dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kthimin edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor, ka sjellë pështjellim mes forcave politike jo vetëm në gjykimin e ligjshmërisë së këtij akti, por edhe për vetë procedurat parlamentare që do të ndiqen për riparimin e tij. Ajo që është e qartë deri më tani, është fakti se rregullimi që kërkon kreu i shtetit që të bëhet në Kod, do të realizohet nëpërmjet një amendamenti në kapitullin e fundit të këtij ligji, kapitull që ka të bëjë me dispozitat kalimtare. Kështu, burime pranë dy forcave kryesore politike në vend, kanë konfirmuar dje se problemi i ngritur nga Presidenti në letrën e tij sqaruese dërguar Kuvendit, do të zgjidhet vetëm nëpërmjet shtimit të një dispozite kalimtare, ku do të përcaktohet një afat më i shkurtuar në kohë, për të shpallur datën e zgjedhjeve të ardhshme, që pritet të mbahen të dielën e fundit të qershorit 2009. Në këtë mënyrë, dy forcat e mëdha kanë përjashtuar nga zgjidhja ndërhyrjen në nenet 8 dhe 9 të Kodit, ku dhe bëhet përcaktimi i periudhave zgjedhore dhe ku sanksionohet afati 9-mujor para mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual, si momenti limit kur kreu i shtetit duhet të ketë bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve. Por, ndërsa janë të qartë për mënyrën e ndërhyrjes në ligjin zgjedhor, forcat politike nuk kanë përcaktuar ende rrugën procedurale, nëpërmjet së cilës do të bëhet kjo ndërhyrje në Kod. Kjo për vetë faktin se ky dekret përbën një rast të veçantë, pasi ligji nuk ka kaluar për miratim në ndonjë komision të përhershëm parlamentar, i cili dhe mund të merrte në shqyrtim atë, por nga ana tjetër, rregullorja e Kuvendit nuk përcakton nëse një dekret i tillë mund të shqyrtohet nga Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, i cili edhe e hartoi atë, pasi ai tashmë është shpërndarë me mbarimin e mandati.

Rruga ligjore

Pavarësisht një boshllëku të tillë ligjor, të dyja rrugët e mësipërme konsiderohen si të mundshme nga dy forcat kryesore politike. Kjo pasi, në bazë të interpretimit që ata i kanë bërë rregullores së Kuvendit, rezulton se amendimi i këtij kodi mund të kalojë në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Kjo pasi këto forca, Kodin e konsiderojnë tashmë një ligj të miratuar dhe ndryshimi mund të vijë edhe si propozim i një deputeti të veçantë, ashtu siç është parashikuar edhe në ligj. Burimet sqarojnë se, një nga mënyrat, do të jetë pikërisht propozimi i një ndryshimi në ligj nga dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore. Në këtë rast, sipas tyre, Komisioni i Ligjeve është i detyruar ta marrë në shqyrtim. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se edhe rruga e kalimit të këtij mendimi në komisionin e posaçëm, mund të jetë e pranueshme, pasi Kodi është produkt i punës së këtij komisioni dhe amendimi duhet të bëhet pikërisht prej tij si komisioni përgjegjës. Në një rast të tillë, konsiderohet e panevojshme edhe zgjatja e mandatit apo krijimi i një komisioni tjetër. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë me fillimin e javës tjetër, kur edhe të rinisë jeta parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›