E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblime nga 10 mijë lekë, deri në dy paga

 

Çdo buxhetor do të ketë të sigurtë 10 mijë lekë shpërblim, pjesa tjetër në dorë të titullarit

Drejtues të institucioneve kanë nisur punën për vlerësimin e punonjësve

TIRANË- Shpërblimi i fundivitit, që presin të marrin të gjithë kategoritë e punonjësve buxhetorë, ende nuk është saktësuar plotësisht. Ky i fundit ndryshon për secilën kategori punonjësish dhe do të vendoset në varësi të fondit të veçantë që posedon çdo institucion. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, çdo institucion është i detyruar të sigurojë për çdo punonjës të tij një shpërblimi minimal prej 10 mijë lekësh, ndërsa shuma përfundimtare që do të përfitojnë punonjësit, vendoset në varësi të shumës së parave që i ka mbetur këtij institucioni nga fondi i veçantë. Për përcaktimin e shtesës mbi shumën prej 10 mijë lekësh që është e vendosur me VKM, një rol të rëndësishëm luan edhe titullari i institucionit, i cili merr në konsideratë mbarëvajtjen vjetore të punonjësve, para se të vendosë shumën plus që i takon secilit prej tyre. Kur afrohet periudha e festave, që korrespondon edhe me marrjen e shpërblimeve, ky i fundit bën një bilanc të ecurisë në secilin sektor të institucionit të drejtuar nga ai. Vlerësimi ndahet në tre kategori: Shumë mirë, mirë dhe dobët. Për punonjësit e vlerësuar shumë mirë, shpërblimi është një, deri në dy paga, por realisht janë shumë pak persona që marrin dy të tilla. Personat e vlerësuar me kriterin “mirë”, përfitojnë gjysmë page shpërblim, ndërsa të dobëtit do të mjaftohen me 10 mijë lekë. Sipas të dhënave, në të gjithë Shqipërinë janë 107 mijë punonjës buxhetorë, të cilët do të kalojnë në sitën e eprorit, para se të përfitojnë shpërblimet e fundivit. Burime nga Ministria e Financave thonë se tashmë, në shumë institucione, ka filluar vlerësimi i punës së bërë nga secili punonjës buxhetor gjatë vitit nga i cili do të përcaktohet edhe shuma që do të përfitojë secili prej tyre. Pavarësisht përfundimeve të titullarit mbi mbarëvajtjen vjetore të punonjësve dhe shumës që ka mbetur në fondin rezervë, në institucionet buxhetore, të cilat nuk përfshihen në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi i një punonjësi nuk mund të jetë më shumë se paga mujore që ai gëzon. Në ndryshim nga punonjësit e institucioneve buxhetore, ata që punojnë në ministri dhe institucione qëndrore, të cilët janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi u jepet mbi bazën e rezultatave individuale dhe në përputhje me fondin e shpërblimit në dispozicion. Sipas VKM-së, nr.369, datë 13.6.2007, fondi i veçantë, nga i cili gjenerohen edhe shpërblimet e punonjësve, duhet të jetë sa 5 për qind e fondit total të pagave dhe përdoret nga institucioni për organizimin e aktiviteteve të ndryshme dhe për të shpërblyer punonjësit për festat e fundvitit. Referuar këtij vendimi, edhe në rastet kur me ligje të veçanta, masa e shpërblimit është më e madhe se një pagë mujore, ai do të përballohet nga fondi i veçantë që ka krijuar institucioni. Krahas shpërblimeve për festat e fundivitit dhe mbulimin e veprimtarive social-kulturore, fondi i veçantë përfshin edhe shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë dhe në raste fatkeqësish. Me këtë vendim, qeveria ka sanksionuar një shpërblim bazë prej 10 mijë lekësh për secilin punonjës, përcaktimi i shumës përfundimtare të shpërblimit varet nga shpenzimet operative që ka bërë institucioni. “Nuk mund të themi saktësisht se sa do të shpërblehet secili punonjës në institucione të ndryshme, pasi shuma totale e shpërblimit që ata do të përfitojnë për festat e fundivit, përcaktohet nga fondi shtesë që ka ruajtur secili institucion”,- shprehen në Ministrinë e Financave, duke shtuar se shpërblimi prej 10 mijë lekësh është e garantuar, ndërsa përcaktimi i shumës përfundimtare u mbetet institucioneve përkatëse.

Shpërblimet

Të gjithë punonjësit buxhetorë përfitojnë 10 mijë lekë shpërblim për festat e fundvitit.

Titullari i institucionet bën vlerësimin e punonjësve, duke i ndarë në tre kategori:

1.Vlerësimi “shumë mirë”: 1-2 paga shpërblim

2.Vlerësimi “mirë: ½ pagë shpërblim

3.Vlerësimi “dobët”: Vetëm 10 mijë lekë, të caktuara me VKM

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›