Për gjithë ata që dhanë trupin
Ka lënë mënjanë për pak kohë profesionin e tij të akrobatit për të bërë diçka më të madhe për cirkun, dokumentimin e historisë së tij. Kujtim Dumi ka prezantuar në çadrën e cirkut librin “Cirku Shqiptar”, një udhëtim nëpërmjet kujtimeve që nga fillesat e deri në ditët e sotme. Kjo është epara monografi që bëhet për cirkun. Për realizmin e saj Dumi ka përdorur një burim të gjallë kujtimesh dhe historish, veteranët e cirkut. Njerëz që e kanë krijuar këtë disiplinë dhe që i kanë kushtuar gjithë jetën e tyre. Vetë autori shprehet se puna për përzgjedhjen e materialit nuk ka qenë e thjeshtë, por e ka ndjerë si detyrë të realizojë një vepër që të pasqyrojë trupin dhe mundin e gjithë artistëve.
Përveç historikut të cirkut profesionist ky libër përfshin edhe degët e tjera të tij në Shqipëri që ndonëse janë cilësuar amatore kanë pasur një nivel të admirueshëm. Të tillë janë cirkun e Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Peshkopisë, Patosit, etj. Fotot ilustruese që shoqërojnë librin nuk i përkasin vetëm shfaqjeve brenda çadrës por edhe atyre të bëra në mjediset e punëtorëve. Kujtime këto që i ka ruajtur me kujdes në vite mjeshtri i ekuilibrit Hamdi Petrela.
Në fillim të viteve 1900 në Shqipëri filluan të vinin artistë endacakë nga vende të ndryshme të botës. Ata realizonin shfaqje të një natyre që nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri, “cirqe”. Mes viteve 1933-1935 një grup të rinjsh të nxitur edhe nga këta “ciganë” hodhën hapat e para në krijimin e atij që më vonë do të quhej cirku shqiptar. Që nga ajo kohë kanë kaluar 55 vjet.
Drejtori i Qendrës Kulturore, Kiço Londo, tha se prezantimi i këtij libri është akitiviteti i parë në radhën e shumë të tjerëve që do të mbahen gjatë gjithë vitit, për të përkujtuar këtë jubile të cirkut.