E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, "Patton Boggs" jep fitimet nga nafta

 

 

Raporti i konsulentit "Patton Boggs": ARMO, 60 milionë dollarë fitime në vitet pas privatizimit

Konsulenti për privatizimin e ARMO-s, "Patton Boggs", në raportin e dorëzuar në qeveri në muajin tetor, jep edhe vlerësimet e tij për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës. Në analizën e bërë nga ana e konsulentit, duke marrë parasysh asetet e kompanisë, bilancet financiare të viteve 2004, 2005 dhe 2006 dhe blerjet e mundshme nga ana e investitorëve të kësaj pasurie jepen edhe skenarët e mundshëm të këtij privatizimi. Në këtë vlerësim nuk është marrë parasysh viti 2007, që është edhe më i rëndësishmi përsa i përket fitimeve të nxjerra nga ana e kompanisë shtetërore. Vetëm fitimi i ARMO-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5 herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë. ARMO ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar, që mund të jetë në nivelin e 50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në kontabilitet, në rreth 100 milionë euro. Kjo është një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet

Borxhi i madh, transaksioni me risk të madh

Kompania e naftës ARMO mbetet një nga privatizimet që qeveria ka vlerësuar që të realizojë brenda pjesës së parë të vitit 2008, ndërsa ende nuk janë bërë publike ofertat për shitjen e saj. Nga ana e ministrit të Ekonomisë, Ruli, është sqaruar se pozitivisht në privatizimin e kësaj kompanie ndikon ndjeshëm edhe çmimi në rritje i naftës në tregjet ndërkombëtare dhe atë vendës, që tashmë ka kaluar 100 dollarë për fuçi. Por sipas llogaritjeve të bëra edhe nga ana e konsulentit, vlera e kthimit që mund të ketë ky investim mund të jetë më e lartë se 60 milionë dollarë, në bazë të supozimeve të bëra mbi aktivitetin e saj. Në këtë rast, është llogaritur një investim me një periudhë kohore 10-vjeçare nga ana e konsulentit për këtë privatizim. Kështu, në analizën e flukseve të parave të kthyera, hiq këtu investimin fillestar, konsulenti ka ofruar një shembull të një transaksioni të financuar me 80% borxhe. Nëse blerja (përvetësimi) i aseteve të ARMO-s do të financohej me 80% borxhe me kthim tek huamarrësi, dhe nëse huamarrësi do të mbante një normë interesi minimumi 8.75% (ndryshe nga ç'jepet nga faktet), atëherë investitori potencial do të vlerësonte 100% asetet e ARMO-s me një vlerë prej afërsisht 60 milionë dollarë. Ky është vlerësimi që i ka bërë kompania "Patton Boggs" këtij rasti.

Rasti i një blerjeje me pak borxhe

Nëse investitori strategjik do të merrte më pak borxhe, atëherë, sipas metodës së skontimit, vlera e këtij investimi do të ishte 40 milionë dollarë. /////////////Llogaritja e NPV (metodë për vlerësimin e projekteve: shuma e flukseve të ardhshme të aktualizuara të investimit, minus vlerën e investimit) e cila prodhon vlerën maksimale se një investitor i tillë potencial do të caktonte për asetet prodhuese te ARMO-s me kushtet e shënuara në këtë shkresë. Vlerësohet se transaksioni është i financuar me 20% borxhe dhe 80% fondet e veta. Vlera që një investitor do të jepte me karakteristikat e sipërpërmendura për 100% të aksioneve prodhuese të ARMO-s, është rreth 40 milionë dollarë, sipas raportit. Por raporti vlerëson se mbetet një mundësi e vogël që një investitor të ishte i gatshëm të vendoste 80% të fondeve për asetet e ARMO-s.

Kushtet e privatizimit

Raporti i nxjerrë nga ana e konsulentit "Patton Boggs" është marrë parasysh nga ana e ministrisë së Ekonomisë, në përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojnë investitorët strategjikë në këtë privatizim. Sipas kritereve, blerësi duhet të jetë një person juridik, me garanci financiare, menaxhuese, i certifikuar me standardin ISO 9000, apo të tjera të barasvlefshme me të. Blerësi i ARMO-s, referuar kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, duhet të jetë gjithashtu i specializuar për tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe gazit, të ketë jo më pak se tre vjet eksperiencë dhe aktivitet në këtë fushë, të ketë një kapital të paguar aksionar jo më pak se 55 milionë euro, si dhe një vlerë të bilancit kontabël të konsoliduar prej jo më pak se 135 milionë euro. Por ai mund të jetë, sipas Ministrisë së Ekonomisë, edhe një konsorcium, ku detyrimisht, një prej kompanive të jetë me eksperiencë jo më pak se 3 vjet në përpunimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit, si dhe të ketë jo më pak se 20 % të aksioneve në këtë konsorcium. Në vlerësimin konkret të ofertës financiare që do të bëhet, blerësi duhet të ketë 75 pikë, ndërsa oferta teknike, që përfshin teknologjinë, biznes-planin, etj., deri në 25 pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›