E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria merr ftesën për në NATO

 

Kryeministri flet në mbledhjen e grupit parlamentar për Samitin e Bukureshtit

 

TIRANË- Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ka qenë dje kryefjala e kryeministrit Berisha para deputetëve demokratë. Dy ditë para Samitit të Bukureshtit, kryeministri Berisha përsëriti dje të njëjtin qëndrim si ai i pak ditëve më parë i kryeparlamentares Topalli, që marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është vlerësim maksimal i reformave të ndërmarra nga qeveria gjatë 2-3 viteve të fundit. Njëherësh, Berisha u shpreh se, këto vlerësime janë një përgjegjësi e madhe për të përshpejtuar reformat dhe arritur standardet e duhura. Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar në reformat për integrimin e vendit. "Unë vlerësoj qëndrimin e opozitës, e cila në përputhje me programin e saj, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin për reformat integruese, sepse këto reforma janë aq të mëdha, saqë para tyre, interesat e tjera bëhen dytësore",- tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, marrja e ftesës për anëtarësim përbën ngjarjen më të madhe politike për Shqipërinë që nga vendosja e pluralizmit politik, si dhe zhvillimin më historik në fushën e sigurisë së saj, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot. Ky proces, shtoi Berisha, vjen pas një përpjekjeje të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas një bashkëpunimi të ngushtë 16-vjeçar në të gjitha fushat. "Ky ishte vlerësimi më maksimal që u bëhen reformave të këtij vendi, të ndërmarra gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit. Ky vlerësim i progresit të Shqipërisë, si një progres frymëzues për vende të tjera të rajonit, është një garanci si për ftesën e datës 3 Prill, ashtu edhe për shpejtimin e të gjitha hapave të tjerë në projektet tona të mëdha: integrimin në NATO dhe integrimin në BE",- tha Kryeministri. Për kreun e mazhorancës, ftesa për në NATO është një fillim i madh dhe jo një fund, ndërsa theksoi se, në shtator të vitit 2005 nuk mund të mendohej se kjo ditë do të ishte kaq e afërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›