Gërdeci, përplasje në Kuvend për fondin e ndihmës
Financat paraqesin kërkesën për përdorimin e Fondit të Kontigjencës. Opozita del kundër
TIRANË - Një pjesë e dëmeve të tragjedisë së Gërdecit do të përballohen nga Fondi i Kontigjencës. Ministria e Financave ka paraqitur në Kuvend kërkesën për përdorimin nga ky fond të 600 milionë lekëve. Por ky propozim është kundërshtuar nga opozita. Sipas saj, qeveria duhet të shkurtojë shpenzimet operative për të gjetur paratë, duke mos prekur as kontributet e qytetarëve. Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh gjatë kësaj seance se, projekt-akti normativ për rishikimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2008 është përgatitur në kuadër të masave urgjente që qeveria shqiptare ka marrë dhe po ndërmerr për t'i ardhur në ndihmë popullatës së zonave të prekura nga shpërthimi i municioneve në Fabrikën e Çaktivizimit në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës. "Të gjitha familjet që konsiderojnë se shuma e dhënë nuk është e mjaftueshme, atëherë riparimi dhe ndërtimi i shtëpive të tyre do të bëhet përmes strukturave qeveritare. Ndërsa ato që konsiderojnë se shuma e dhënë është e mjaftueshme për riparimet e duhura, do të fillojnë ta bëjnë vetë",- tha Bode. Ministri Bode tha dje se, "sot fillon edhe ndarja e parave". Ndërkaq, opozita i ka kërkuar qeverisë që të mos përdorë kontributin e qytetarëve për të shlyer dëmet e kësaj tragjedie, pasi këto nuk janë fondet e saj, por para shtesë që janë dhënë në ndihmë të familjeve të prekura. "Të rishikohet buxheti i vitit 2008 dhe jo Kontigjenca. Fondet që do të shkojnë për të rindërtuar buxhetin, të hiqen nga shpenzimet operative, ndërsa fondet e dhuruara nga ana e qytetarëve, të mos preken",- tha deputeti socialist, Arben Malaj. Sipas qeverisë, fatura financiare për përballimin e tragjedisë së Gërdecit llogaritet në 1.6 miliardë lekë, shumë që do të përdoret për ndërtimin nga e para të 400 shtëpive të dëmtuara tërësisht dhe për dëmshpërblimin e pajisjeve shtëpiakë të të gjithë banorëve. Nga kjo shumë, 800 milionë lekë do të jepen nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, 600 do të merren nga Fondi i Kontigjencës dhe pjesa tjetër janë kontributet e qytetarëve.