E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, analiza për Gërdecin, pas Samitit të Bukureshtit

 

Kryeministri pranon kërkesën e deputetëve demokratë për të analizuar ngjarjen e Gërdecit brenda në grup

 

TIRANË- Demokratët kërkojnë analizë për ngjarjen e Gërdecit në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e parë të grupit, pas 15 marsit, deputetët demokratë i kanë kërkuar dje kryeministrit Berisha zhvillimin e një analize, nga ku të dalin përgjegjësitë dhe përgjegjësit për shpërthimet e municioneve që ndodhen në fshatin Gërdec, ngjarje nga e cila nisi edhe zbulimi i skandalit të trafikut të armëve. Ka qenë ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ai që ka kërkuar i pari zhvillimin e një analize për ngjarjen e Gërdecit. Në mbledhjen e djeshme të grupit, Mustafaj i është drejtuar kryeministrit Berisha duke folur për shpërthimet në Gërdec dhe pasojat që kanë sjellë ato, si dorëheqja e Fatmir Mediut nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Në këtë kuptim, Mustafaj ka kërkuar zhvillimin e analizës, nga ku të dalin përgjegjësitë dhe institucionet përgjegjëse për ngjarjen e Gërdecit, duke përmendur një sërë institucionesh si Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Shërbimet Informacione, apo autoritetet Tatimore dhe Doganore. Kërkesën e ish-ministrit Mustafaj e kanë mbështetur edhe deputetë të tjerë të grupit, si deputeti Ndriçim Babasi, dhe duket se ajo ka gjetur miratimin edhe të kryeministrin Berisha. Sipas burimeve, kreu i mazhorancës është shprehur dakord për zhvillimin e një analize, por duke thënë se kjo duhet të zhvillohet pas Samitit të Bukureshtit, pra, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit, Kryeministri ka pohuar se ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu ka merita në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por ai ka theksuar se, institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë pjesën e tyre, për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Burimet bëjnë të ditur se, Kryeministri ka nënvizuar se hetimit për ngjarjen e ndodhur në Gërdec duhet t'i shkohet deri në fund, në mënyrë që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Përveç analizës për ngjarjen e ndodhur në Gërdec, pas Samitit të Bukureshtit për mazhorancën shtrohet një tjetër çështje e rëndësishme, ajo e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Tashmë, të gjithë presin që qeveria e koalicionit të djathtë të pësojë ndryshime, të ketë largime ministrash dhe përfshirje në të të emrave të rinj, ku mjaft prej atyre që pretendojnë të marrin një post ministror, janë pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›