E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci "bllokohet" në zyrën e Ina Ramës

 

Imuniteti i Fatmir Mediut ka stopuar hetimet e mëtejshme. Ende nuk është caktuar grupi hetimor që do të hetojë

Prej tre ditësh nuk është kryer asnjë veprim hetimor për tragjedinë e Gërdecit. Dosja, në analizë

TIRANË- Dosja voluminoze e tragjedisë në Gërdec bllokohet prej tre ditësh në Prokurorinë e Përgjithshme. Imuniteti i ish-ministrit Fatmir Mediu ka stopuar hetimet në zyrën e Ina Ramës, prej ku pritet të vendoset se cila prej prokurorive do të marrë në dorë fatin e mëtejshëm të hetimeve për ngjarjen e rëndë. Burimet pranë organit qendror të akuzës pohuan se ende nuk është caktuar grupi hetimor në Prokurorinë e Përgjithshme, që do të ketë kompetencë për hetimin e shpërthimeve në Gërdec. "Që nga dita e premte, kur grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës dorëzoi procedimin penal me nr. 916 në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk është kryer asnjë veprim tjetër, në pritje të analizimit të përgjegjësive të Mediut",-bëjnë me dije burimet pranë organit qendror të akuzës. Po nga këto burime mësohet se kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar t'i hedhë një sy vetë dosjes, për të parë punën e vartësve të saj, për të parë se sa prova janë mbledhur që faktojnë dyshimet se ish-ministri Mediu ka "shpërdoruar detyrën" dhe elementë të tjerë që kanë dalë nga hetimet.

***

Ndërkaq, zyrtarë pranë institucionit të akuzës të kontaktuar nga "Shekulli" kanë preferuar të heshtin, duke u mjaftuar me fjalët: "nuk kemi asgjë të re për mediat". Kështu, nga dita e shtunë, kur zyra e shtypit pranë Prokurores së Përgjithshme ka njoftuar se dosja hetimore e tragjedisë së Gërdecit ka kaluar për moskompetencë tek organi qendror i akuzës për shkak të dyshimeve të zbuluara se ish-ministri Mediu ka shpërdoruar detyrën, institucioni i akuzës ka heshtur. Mësohet se kryeprokurorja Rama ka kërkuar nga grupi hetimor përveç shkresës së moskompetencës edhe dosjen origjinale të hetuar nga numri 2 i prokurorisë së Tiranës, Genci Qano dhe tre vartësit e tij. Ndërkohë, sipas praktikës së ndjekur nga organi qendror i akuzës në rastin e ish-Ministrit të Transporteve, tashmë ministër i Jashtëm, kryeprokurorja cakton një grup pune prej dy prokurorësh dhe hetuesish, të cilët do të studiojnë e verifikojnë provat e mbledhura nga grupi hetimor i kryeqytetit.

***

Pas caktimit të prokurorëve, këta të fundit do të verifikojnë provat e mbledhura nga grupi hetimor si dhe pretendimet e prokurorëve të Tiranës, se ish-ministri Mediu ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, nëse pretendimet e prokurorëve të kryeqytetit verifikohen edhe me provat e mbledhura, hapi tjetër i Prokurorisësë Përgjithshme pritet të jetë kërkesa drejtuar Kuvendit, për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Që prej datës 15 mars, grupi hetimor ka marrë nën hetim 6 persona, tre prej të cilëve janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë, janë marrë në pyetje mbi 50 persona, që kishin dijeni për rrethanat e shpërthimeve apokaliptik që u mori jetën 22 personave dhe plagosi qindra të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›