Rama: Manifestim të premten, në sheshin "Skënderbej"
Kryetari i PS-së ftoi dje qytetarët që përmes një manifestimi, t'i thonë "pro" NATO-s dhe "jo" Berishës
TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka ftuar dje qytetarët që të marrin pjesë në një manifestim të madh në sheshin "Skënderbej", ditën e premte, pas përfundimit të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për në NATO. Ndaj, kryesocialisti Rama përmes konferencës së djeshme për shtyp, ka ftuar të gjithë qytetarët që duan t'i thonë "po" NATO-s dhe "jo" Berishës, të marrin pjesë në manifestimin e së premtes. "Të vetëdijshëm për situatën dramatike që po kalon vendi, për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit shtetëror, që kulmoi me masakrën e Gërdecit e pasoi me skandalin e hapur në shtypin më prestigjioz ndërkombëtar. Të vetëdijshëm për momentin historik që po kalon vendi dhe që kulmon me Samitin e Bukureshtit, në të cilin Shqipëria pret- le të shpresojmë- ftesën për anëtarësim në NATO, që do të thotë reforma, reforma, reforma",- tha dje Rama. Më tej, ai shtoi: "Të vetëdijshëm se mes nesh dhe së ardhmes sonë Euro-Atlantike qëndron një qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar deri në palcë, si dhe një Kryeministër, që është shëmbëlltyra e politikës së vjetër të së shkuarës dhe përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit dhe i të gjitha dramave aktuale të shoqërisë shqiptare, që janë papunësia në rritje, varfëria e kudondodhur, pasiguria ekstreme e jetës, dhuna e krimi në familje, korrupsioni sistematik". Kryetari i PS-së vijoi qëndrimin e tij, duke u shprehur se socialistët shqiptarë i përgjigjen pozitivisht kërkesës së mijëra qytetarëve dhe qytetareve shqiptare për organizimin e një manifestimi të madh në sheshin "Skënderbej", të premten e kësaj jave. "Në manifestimin e së premtes, qytetaret dhe qytetarët shqiptarë do të shprehin bindjen konsensuale të këtij populli, për përkatësinë tonë të natyrshme në familjen e popujve aleatë të rreshtuar në NATO, si dhe kërkesën e shumicës absolute të shqiptarëve për dorëheqjen e Kryeministrit dhe zbardhjen deri në fund të krimit shtetëror, që polli bombën e Gërdecit dhe që turpëroi Shqipërinë në sytë e botës me skandalin e armëve të trafikuara. Unë i ftoj të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret tona, që duan t'i thonë "po" NATO-s dhe "jo" Berishës, që pasditen e së premtes, të jenë në sheshin "Skënderbej",- tha Rama.