Përmbarimi "ngrin" miliardat e Delijorgjit
Zyra e Përmbarimit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për sekuestrimin e pasurive
TIRANË- Zyra e Përmbarimit në kryeqytet ekzekuton vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurisë së administratorit të kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se është ekzekutuar vendimi i togave të zeza, duke bllokuar 23 llogari bankare, rreth 31 mijë metra katrorë truall, pa përjashtuar këtu edhe 1584 objekte të tjera banimi dhe pune. "Me marrjen e vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurisë dhe banesave të administratorit të kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, i akuzuar për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive" që solli tragjedinë e Gërdecit, përmbaruesit e zyrës së Tiranës e kanë ekzekutuar këtë vendim për një afat njëjavor. Deri më tani janë sekuestruar dhe bllokuar 23 llogaritë bankare që ndodheshin në filiale të ndryshme bankare në Shqipëri, rreth 31.176.5 metra katrorë sipërfaqe e truall dhe rreth 15 prona të tjera, që figurojnë në 1584 zona kadastrale. Të gjitha këto pasuri janë sekuestruar me vendimin e gjykatës, pasi figuronin në emrin e pronarit të kompanisë "Albademil", të pandehurit Mihal Delijorgji",-thuhet nga burimet e Përmbarimit. Ndërkaq, nuk bëhet e ditur se çfarë do bëhet për ato prona apo banesa ku qytetarë të ndryshëm kanë blerë apartamente, para arrestimit të Delijorgjit. Mësohet gjithashtu se shumica e pasurisë së sekuestruar rezulton se është blerë, ndërtuar dhe përfituar nga Mihal Delijorgji gjatë vitit 1993, '99, 2000, '03, '05 dhe 2007. "Shumica e pasurisë së vendosur në emër të të pandehurit Mihal Delijorgji është blerë apo përvetësuar një vit para arrestimit në 2004, gjatë viteve 2003 dhe gjithashtu rreth një viti më parë, në mars të 2007"-thuhet nga grupi hetimor të cilët kanë evidentuar pronat dhe llogarit bankare të të pandehurit Delijorgji. Ky i fundit është arrestuar bashkë me kunatin e tij, Dritan Minxholin, dhe ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari nga prokuroria e Tiranës, pas regjistrimit të procedimit penal me nr.916, të dyshuar për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive", të parashikuara nga neni 282/2 i Kodit Penal. Gjithashtu, prokuroria ka ngritur dyshimet që tre të pandehurit kanë kryer edhe atë të "trafikut të materialeve ushtarake" në bashkëpunim.
Trojet e sekuestruara
Lokal e banesë, me sipërfaqe të përgjithshme 824 m2 ndodhur në fshatin Sofratikë të rrethit Gjirokastër
Sipërfaqja prej 1783 m2, ndodhur në Tiranë, Rruga e Kavajës (ish-parku i mallrave)
Sipërfaqja prej 733 m2, ndodhur në zonën kadastrale nr.8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 585 m2, tek Rruga e Kavajës
Sipërfaqja prej 661 m2, tek Rruga e Kavajës
Sipërfaqja prej 2700 m2, e ndodhur në zonën kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 833 m2, e ndodhur në zonën kadastrave 8220, Tiranë
Sipërfaqja prej 661 m2, e ndodhur në zonën kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 2977 m2, ndodhur në zonën kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja 738.5 m2, ndodhur në zonën kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 661 m2, ndodhur në zonën kadastrave 8220 Tiranë
Pasuria me nr.6/ 124, volumi 13, faqe 3, zona kadastrave, 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/135, volumi 13, faqe 17,zona kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/125, volumi 13, faqe 4, zona kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/128, volumi 13, faqe 20, zona kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/136, volumi 13, faqe 18, zona kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/121, volumi 13, faqe 5, zona kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/120, volumi 12, faqe 243, zona kadastrave 8220, Tiranë
Truall me sipërfaqe 14.500 m2 regjistruar në zonën kadastrave, 8616, Durrës.
Sipërfaqe trualli, prej 3523 m2, në zonën kadastrale 8515 Durrës
PASURITË FINANCIARE
Llogaria bankare tek "Emporiki Bank"
Llogaria bankare tek "Raiffeisen Bank"
Llogaria bankare në "Bankën Italiane të Zhvillimit"
Llogaritë bankare në bankën "Credins"
Llogaria bankare në "Bankën Popullore" Tiranë, dega Tirana 1.
Llogaritë bankare në "Bankën Amerikane të Shqipërisë"
Llogaritë bankare në "Tirana Bank"
Llogaritë bankare në "Alpha Bank"