E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, tani eurodiezel edhe “Made in Albania”

 

Fabiola Çela

Për herë të parë kompania e prodhimit të naftës ARMO ka hedhur në treg naftën e cilësisë së lartë eurodizel, apo siç njihet ndryshe D1. Nafta e prodhuar nga kompania ARMO, ka përqindje shumë të vogël squfuri, çka e bën me cilësi më të mirë se ai i importit. Sipas Drejtorit të Përg-jithshëm të Kompanisë ARMO, Rezart Taçi, eurodizeli i prodhuar në rafineri e naftës është sipas standardeve evropiane.
ARMO
Për herë të parë pas 30 vjetësh, kompania ARMO arriti të prodhojë eurodizelin e standardeve evropiane. “Nga analizat e bëra rezulton se eurodizeli i prodhuar në Rafinerinë e Ballshit, ka parametra më cilësore se eurodizeli që importohet aktualisht nga tregjet ndërkombëtare. Ky rezultat është arritur pavarësisht naftës bruto të vendit e cila ka një nivel shumë të larte squfuri në përbërje”, është shprehur dje në një deklaratë për mediat Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë ARMO, Rezart Taçi. Sipas tij, kompanive evropiane për të ndryshuar teknologjinë u është dashur gati 15 vjet, ndërkohë që konsorciumi e ka realizuar atë vetëm tre muaj nga blerja e kompanisë ARMO. “Ky rezultat u arrit jo vetëm falë investimeve të realizuara nga ana e konsorciumit por dhe punës inovatore të stafit të inxhinierëve dhe përkushtimit të punonjësve të rafinerisë së Ballshit”, tha Taçi. Në deklaratën e tij, Taçi ka theksuar se me kryerjen e investimeve të parashikuara nga kompania, do të arrihet dyfishimi i kapaciteteve prodhuese, e cila do të reflektohet drejtpërdrejtë në uljen e çmimit, pra dhe në xhepat e konsumatorit. “Ndërkohë objektivi kryesor i kompanisë është që për një periudhë të shkurtër kohe të arrijë të prodhojë eurodizel deri afër nivelit 0 të përqindjes së squfurit në përbërje të tij”, u shpreh ai.       
Privatizimi
Tenderi për privatizimin e kompanisë së përpunimit të naftës “Armo” u zhvillua në muajin qershor të vitit të kaluar dhe fitues u shpall konsorciumi “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”. Ky konsorcium fitoi kështu të drejtën për privatizimin e 85 për qind të aksioneve të kompanisë së përpunimit të naftës shqiptare “Armo”. Konsorciumi fitoi pikët më të larta të vlerësimit prej 93,14 pikë për blerjen e 85 për qind të aksioneve të “Armo”-s. Privatizimi i kompanisë së naftës “Armo” është cilësuar si një ndër privatizimet më të rëndësishme, duke sjellë kështu një përfitim goxha të madh për qeverinë shqiptare. Çmimi i shitjes së 85 % të aksioneve të “Armo” sh.a., është 128,750,000 euro.

Rritet çmimi i naftës

Çmimi i naftës eurodiezel është rritur me 10 lekë. Pak ditë më parë në pikat e tregtimit të karburanteve në vend, një litër e naftës D1 shitej me 109 lekë ndërsa tani me 119 lekë. Rritje ka pësuar edhe çmimi i naftës së cilësisë së dobët D2, e cila pak ditë më parë shitej me 100 lekë ndërsa tashmë me 113 lekë. Pas uljes drastike të çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, çmimi i karburanteve në vend pësoi një rënie të lehtë. Prej gati një muaji, çmimet e karburanteve në vend nuk pësuan ndryshime. Por sapo çmimi i naftës në tregjet botërore pësoi rritje, kjo rritje u reflektua edhe në tregun vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›