Skela: “Mos u frikësoni, jam në rregull”
Te klubi gjerman Hanover 96 janë të punësuar katër trajnerë, tre fizioterapistë dhe një mjek që verifikon parametrat e gjendjes fizike të lojtarëve, por Altin Lala ka paguar 3 mijë euro nga xhepi i tij një trajner personal për t’u rikthyer fizikisht në gjendjen optimale.
Lajmi është publikuar në mediat gjermane, që e kanë shoqëruar edhe me një foto ku paraqitet 33-vjeçari gjatë një seance fizioterapie me mjekun personal në shtëpinë e tij në Gjermani. (“Në sfond duket fotoja e martesës me Viktorian”, – shkruan tabloidi popullor gjerman “Bild”).
“Ky lojtar profesionist bën me të vërtetë gjithçka për t’u rikthyer, madje Lala paguan vetë edhe një trajner të posaçëm”, - vëren “Bildi”.
Lala qëndroi pesë muaj larg fushave pas operacionit të vështirë në hernien diskale, ndërkohë që të shtunën “festoi” kthimin e tij në bankinë me takimin midis Hanoverit e Borusias së Dortmundit (4-4). Pas tri ndeshjeve me ekipin amator të Hanoverit, shqiptari i vogël kthehet sërish në skenën e madhe të Bundesligës, falë 46-vjeçarit Niko Mucopapa.
“Atë që bën Niko, nuk mund ta bëjë askush tjetër”, - flet plot pasion Altini. “Ai mund të bëjë me duart e tij mrekulli”.
“Magjistari” Niko është italian dhe nga zanati është mjek terapist. Mucopapa shkon me një qilim gjimnastikor në shtëpinë e Altinit. Me Lalën, Niko punon në dhomën e ndenjes së Altinit ose në papafingo. Gjatë tre muajve të kaluar, Lala punonte me trajnerin e tij personal tri deri katër herë në javë me seanca njëorëshe.
“Ai ma ka dhuruar sërish trupin tim. Tani unë jam shumë më mirë se më parë”, - thotë Altini. Mucopapa i stimuloi muskujt, kujdes për lëvizshmërinë edhe treguesit e tjerë fizikë të Lalës. Altini: “Ai ka punuar me të vërtetë mirë”.
Seancat e terapisë, Lala i pagoi vetë, një shumë rreth 3 mijë euro. Por ai do t’i marrë sërish paratë nga Hanoveri? Altini shuan çdo dyshim: “Ah, lërë fare këtë. Unë jam thjesht i gëzuar dhe i lehtësuar që jam sërish plotësisht në gjendje të mirë fizike. Jam gati për në fushën e betejës”.
“Bild” shton se Hanover 96 ka nevojë për lojtarë të tillë si Lala, por fatkeqësisht jo të gjithë janë si ai.
Skela: “Mos u frikësoni, jam në rregull”
Edhe pse është duke kaluar një gjendje gripale, regjisori shqiptar i Energi Kotbusit, Ervin Skela, dëshiron të luajë të shtunën në ndeshjen kundër Këlnit në Bundesligën 1 gjermane.
Sipas bild.de, shqiptari 32-vjeçar është rikthyer në stërvitje me ekipin e tij, që aktualisht renditet i parafundit në Bundesligë. “Unë jam i vetëdijshëm se deri në fundjavë gjithçka do të jetë në rregull”, - citohet Skela nga uebsajti gjerman.
Të dielën e kaluar, Skela kaloi një gjendje gripale të shoqëruar me ethe e dhembje në qafë, ndërkohë që ekipi i tij humbi 2-0 me Hamburgun. Të martën Skela kompletoi dy seanca me ushtrime të posaçme me trajnerin e fitnesit të Kotbusit, Matias Grahe.
Pas ndeshjes së të shtunës në kampionatin gjerman, Skela (59 ndeshje, 10 gola me Kombëtaren shqiptare) do të mbërrijë në Shqipëri për të qenë në dispozicion të trajnerit Ari Han për ndeshjet ndërkombëtare kundër Hungarisë e Danimarkës.
Bogdani, titullar dhe kundër Palermos
Nuk do të jetë kundër Hungarisë e Danimarkës me Kombëtaren e Shqipërisë, por Erion Bogdani do të ketë një tjetër shans në vijën e parë të sulmit të Kievos në përballjen e vështirë të skuadrës veroneze me Palermon në “Bentegodi”.
Goli i shënuar në fitoren 3-0 të Kievos kundër Lacios (i pari sezonal i Bogut) dhe dëmtimi i sulmuesit nigerian Stefën Makinua (për rreth një muaj) e kanë shndërruar shqiptarin partnerin ideal në sulmin verdheblu të Serxhio Pelizerit.
Pas 28 javësh të kampionatit italian, Kievo me 27 pikë të grumbulluara ndodhet në vendin e 16-të nga 20 skuadra që ka Seria A, duke lënë pas Torinon e Blerim Xhemailit, por dhe skuadrën e parë të Bogdanit në Itali, Rexhinën.
19 Mars 2009