E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimash, Olldashi: 508 m dhe dy tunelet bashkohen

 

Kanë mbetur vetëm 508 metra që dy tunelet e Kalimashit të bashkohen, ose më pak se 10 për qind. Ky tunel do të përfundojë në ditët e parë të muajit maj. Kështu u shpreh dje Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, gjatë një inspektimi të kryer në aksin rrugor Durrës-Kukës. Sipas tij, tunelet e Kalimashit përfundojnë në muajin maj. “Mbeten edhe rreth 508 metra për t’u takuar dy tunelet, nga 5.6 km që është gjatësia e tunelit ka mbetur më pak se 1/10 e gjatësisë për t’u takuar dy galeritë me njëra-tjetrën dhe parashikohet që në fillim të muajit maj në varësi të shkëmbit që haset, tunelet do të takohen. Prandaj do të kemi një tunel të hapur në fillim të majit” - tha Olldashi. Kreu i MPPTT-së Olldashi u ndal për të parë nga afër ecurinë e punimeve në segmentin ku po punon firma maqedonase “Granit”, disa punëtorë të së cilës janë futur dy ditë më parë në grevë urie për kërkesa ekonomike. Lidhur me grevën e punëtorëve, ministri Olldashi u shpreh se ky është një problem i firmës dhe jo i shtetit. “Çështja e marrëdhënies së punonjësve me sipërmarrësit e tyre private nuk ka lidhje me ne. Ajo që më intereson mua është ecuria e rrugës. Detyrimi ynë është të paguajmë kompanitë, më pas se si merren vesh kompanitë me punëtorët e tyre nuk mund ta përcaktojmë” u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›