Ora News-IPR Marketing, sondazhe për zgjedhjet
“Ora News” ka nënshkruar kontratën me kompaninë më të madhe italiane të sondazheve të opinionit IPR Marketing, për të publikuar katër sondazhe për zgjedhjet si dhe të realizojë një exit poll të IPR Marketing. Drejtori i Përgjithshëm i “Ora News”, Alfred Peza, në konferencën për shtyp që u mbajt me rastin e firmosjes së kontratës mes RTV Ora News dhe IPR Marketing për sondazhet për zgjedhjet, deklaroi se kjo kontratë parashikon realizimin e sondazheve dhe exit-poll-eve. Siç është rënë dakord, prestigjiozja IPR Marketing do të kryejë 4 sondazhe dhe një exit poll. Në datat 15 prill, 15 maj, 15 qershor dhe 25 qershor, IPR Marketing dhe radio-televizioni “Ora News” do të publikojnë rezultatet e sondazheve të kryera, kjo shoqëruar me transparencën maksimale për metodologjinë e përdorur. Për herë të parë realizohet shtrirja e sondazhit në të 12 qarqet e vendit, duke përfshirë të gjitha partitë politike dhe koalicionet në garë. Pas 4 sondazheve, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme legjislative më 28 qershor, IPR Marketing dhe televizioni “Ora News” do të realizojnë exit poll-in. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit do të jepet dhe rezultati.