E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bujari” Lala, 3000 euro nga xhepi trajnerit personal



Dash Frashëri

Te klubi gjerman Hanover 96 janë të punësuar katër trajnerë, tre fizioterapistë dhe një mjek që verifikon parametrat e gjendjes fizike të lojtarëve, por Altin Lala ka paguar 3 mijë euro nga xhepi i tij një trajner personal për t’u rikthyer fizikisht në gjendjen optimale.
Lajmi është publikuar në mediat gjermane, që e kanë shoqëruar edhe me një foto ku paraqitet 33-vjeçari gjatë një seance fizioterapie me mjekun personal në shtëpinë e tij në Gjermani. (“Në sfond duket fotoja e martesës me Viktorian”, – shkruan tabloidi popullor gjerman “Bild”).
“Ky lojtar profesionist bën me të vërtetë gjithçka për t’u rikthyer, madje Lala paguan vetë edhe një trajner të posaçëm”, - vëren “Bildi”.
Lala qëndroi pesë muaj larg fushave pas operacionit të vështirë në hernien diskale, ndërkohë që të shtunën “festoi” kthimin e tij në bankinë me takimin midis Hanoverit e Borusias së Dortmundit (4-4). Pas tri ndeshjeve me ekipin amator të Hanoverit, shqiptari i vogël kthehet sërish në skenën e madhe të Bundesligës, falë 46-vjeçarit Niko Mucopapa.
“Atë që bën Niko, nuk mund ta bëjë askush tjetër”, - flet plot pasion Altini. “Ai mund të bëjë me duart e tij mrekulli”.
“Magjistari” Niko është italian dhe nga zanati është mjek terapist. Mucopapa shkon me një qilim gjimnastikor në shtëpinë e Altinit. Me Lalën, Niko punon në dhomën e ndenjes së Altinit ose në papafingo. Gjatë tre muajve të kaluar, Lala punonte me trajnerin e tij personal tri deri katër herë në javë me seanca njëorëshe.
“Ai ma ka dhuruar sërish trupin tim. Tani unë jam shumë më mirë se më parë”, - thotë Altini. Mucopapa i stimuloi muskujt, kujdes për lëvizshmërinë edhe treguesit e tjerë fizikë të Lalës. Altini: “Ai ka punuar me të vërtetë mirë”.
Seancat e terapisë, Lala i pagoi vetë, një shumë rreth 3 mijë euro. Por ai do t’i marrë sërish paratë nga Hanoveri? Altini shuan çdo dyshim: “Ah, lërë fare këtë. Unë jam thjesht i gëzuar dhe i lehtësuar që jam sërish plotësisht në gjendje të mirë fizike. Jam gati për në fushën e betejës”.
“Bild” shton se Hanover 96 ka nevojë për lojtarë të tillë si Lala, por fatkeqësisht jo të gjithë janë si ai.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›