ARMO, vjen ankesa e parë për renditjen e fituesve
Vetëm pak orë pas renditjes së kompanive fituese për privatizimin e Armo-s, nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka ardhur ankesa e parë. Në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Panorama” Joseph Atias, Drejtor Menaxher i “US Bakan Capital Fund” ka deklaruar se kompania nga Teksasi duhej përjashtuar. Ai ka renditur një sërë arsyesh se pse kjo kompani nuk e meritonte që të merrte vlerësimin maksimale. Gjithsesi, sipas Atias ata do të depozitojnë ankesën zyrtare pranë ministrisë brenda pesë ditëve.
Besoj se ju keni mësuar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e ARMO-s, ka njoftuar klasifikimin e aplikantëve, sipas së cilës, Konsorciumit tuaj i jepet vendi i dytë, duke ju renditur pas “Anika Enterprises” dhe “Refinery Associates of Texas”. Cili është reagimi juaj?
Para se gjithash, unë jam i çuditur që Komisioni ka arritur në një renditje të tillë të padrejtë dhe të paligjshme, e cila është në shkelje totale të kritereve tashmë të vendosura, të ligjeve, normave dhe rregullave të Qeverisë shqiptare të cilat duhet të zbatoheshin në mënyrë strikte. Nëse Komisioni do të kishte ndjekur kriteret, ligjet, normat dhe rregullat tashmë të paravendosura nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Firma Konsulente Amerikane “Patton Boggs”, atëherë, në vend që të renditeshin të parët, “Anika Enterprises” dhe “Refinery Associates of Texas” duhet të kishte marrë njoftimin për skualifikimin total për disa arsye. Së pari ka mungesë të partnerit/investitorit strategjik dhe të eksperiencës në biznesin e naftës. Së dyti, ka paaftësi financiare për blerjen e ARMO-s dhe implementimin e planit të biznesit për zhvillimin dhe modernizimin e ardhshëm të ARMO-s. Arsyeja e tretë është pagesa e kushtëzuar e çmimit të ofruar me 4 këste dhe për 4 vite. Së katërti, për kërkesën për marrjen e monopolit në fushën e rafinimit të naftës për 10 vjet. Gjithashtu, shkelje ka në kërkesën për mbulimin e humbjeve nga shteti për një periudhë të caktuar. Së fundmi përjashtimin nga taksat dhe shumë kushteve të tjera të paligjshme të paraqitura nga grupi i mësipërm në ofertën e tyre.
Tani që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka renditur të parën “Anika Enterprises” dhe “Refinery Associates of Texas”, cili është hapi që do të ndërmarrë konsorciumi juaj ?
Siç e dini, privatizimi i ARMO-s është një proces në vazhdim. Akoma nuk ka asgjë përfundimtare dhe akoma nuk ka përfundimisht fitues apo të humbur. Ka plot mjete dhe mekanizma zyrtare dhe ligjore që bëjnë kontrollet dhe balancat dhe që do të verifikojnë zbatimin apo moszbatimin e kritereve, ligjshmërinë apo paligjshmërinë e aplikantëve si dhe legjitimitetin e punës së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Është për të gjithë këto arsye legjitime, që unë dhe anëtarët e tjerë të konsorciumit nuk jemi të shqetësuar për renditjen e paligjshme dhe të pabazuar të bërë nga Komisioni i Vlerësimit. Kjo pasi unë besoj në kriteret, ligjet, normat dhe rregullat e paravendosura nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, në përputhje me procedurat e vendosura për këtë qëllim, natyrisht, konsorciumi ynë i përbërë nga “US Balkan Capital Fund Inc.”, “Euroil” dhe “NFS Partners & Vitol Group” do të depozitojë ankesën zyrtare dhe rezervat e tij brenda 5 ditëve të ardhshme lidhur me legjitimitetin e renditjes së paligjshme të bërë nga Komisioni. Megjithatë, ne e kuptojmë qartë se, sipas sistemit ekzistues “checks and balances” në Shqipëri, autoriteti final është i Këshillit të Ministrave që do të vlerësojë apo vërtetojë pajtimin apo mospajtimin e palëve dhe të Komisionit me ligjet,normat, dhe rregullat e vendosura nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Më e rëndësishmja, konsorciumi ynë unanimisht beson që Qeveria shqiptare udhëhiqet nga një personalitet shumë i ndershëm dhe kompetent, si Pr.Dr. Sali Berisha. Kështu pra, më në fund për ta përmbledhur, ne nuk jemi të shqetësuar për renditjen e paligjshme që bëri Komisioni, për arsye se procesi i privatizimit të ARMO-s nuk po ecën në një vakum ligjor. Siç e përmenda më lart, si pjesë e mekanizmit të “check and balances” në Shqipëri, ligjet, normat, dhe rregullat relevante që drejtojnë këtë proces të cilat janë për t’u ndjekur në mënyrë strikte, tani i përket Qeverisë dhe Këshillit të Ministrave qe të ngreje çështjen e diskutueshme për Komisionin e Vlerësimit dhe të vërtetojë se në çfarë mase, veprimet e tyre për renditjen e aplikantëve, janë të ligjshme apo të paligjshme.
Kualifikohen katër firma për privatizimin e KESH
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Energjetikës ka kualifikuar dje katër firmat që do të marrin pjesë në procesin e privatizimit të KESH. Konkretisht, kompanitë EVN AG, ENERGIE STEIERMARK AG, CEZ a.s., dhe ENEL S.p.A. do të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes. Ky proces pritet që të përfundojë në fillim të muajit shtator. Ndërkohë po dje Korporata Elektro-energjetike ka hapur ofertat e tenderit për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 01 Korrik 2008-31 Dhjetor 2008. Për këtë periudhë KESH ka kërkuar të blejë një sasi energjie prej 883 200 MWh e ndarë në IV lote me një vlerë limit prej 77 089 210 Euro. Shoqëritë që morën pjesë në tender janë Rudnap, Serbi, EGL:, Zvicër, EFT, Zvicër, GEN-I, Beograd, RE, Ceki, GSA, Shqipëri, CEZ, Serbi. Çmimi i energjisë varionte nga 77 deri në 87 euro/mwh.
Shpallen pikët e tenderit të ARMO-s
Firma amerikane nga Teksasi ka marrë vlerësimin maksimal si për ofertën financiare, ashtu dhe për vlerësimin teknik. Konsorciumi “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” ka marrë më shumë pikë nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Në këtë mënyrë amerikanët nga Teksasi janë renditur në krye të listës së kompanive, që duan të privatizojnë 85 për qind të kompanisë së naftës ARMO. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, komisioni i Vlerësimit të Ofertave pasi ka shqyrtuar raportin e përgatitur nga konsulenti Patton Boggs, ka vendosur të kualifikojë ofertat e tre kompanive dhe të skualifikojë ofertën e “Penta Investmens Limited, Paraplynovy cyklus as, Bratislava and Duslo”. Konkretisht konsorciumi amerikan nga Teksasi është vlerësuar me 93.16 pikë dhe oferta e tyre ishte 125 milionë euro. Ndërsa konsorciumi tjetër “Vitol Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc” është vlerësuar me 69.49 pikë, ndërsa oferta e tyre ishte 100 milionë euro. Kompania e tretë që u kualifikua në tenderin për privatizimin e ARMO-s është “Petrofac Energy Developements International Limited”, e cila është vlerësuar me 30.52 pikë. Oferta e kësaj kompanie në tender ishte 30 milionë euro.
Vlerësimi i ofertave
“Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”
Oferta financiare
75 pikë për ofertën 125 milionë euro
Vlerësimi teknik
18.16 pikë
Vlerësimi përfundimtar
93.16 pikë
“Vitol, Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc”
Oferta financiare
58.2 pikë për ofertën 100 milionë euro
Vlerësimi teknik
11.29 pikë
Vlerësimi përfundimtar
69.49 pikë
“Petrofac Energy Developements International Limited”
Oferta financiare
17.46 pikë për ofertën 29.1 milionë euro
Vlerësimi teknik
13.06 pikë
Vlerësimi përfundimtar
30.52 pikë