E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë me një, dhe demokracia e drejtpërdrejtë!

Rexhep Meidani 

Demokracia e drejtpërdrejtë është ajo formë ideale e demokracisë ku sovraniteti ndodhet në duart e asambleve të gjithë qytetarëve, që marrin pjesë në mënyrë të lirë në to. Ajo është ndeshur në trajtën klasike në qytetet e Greqisë së lashtë. Por dhe kuvendi i dikurshëm i burrave mund të konsiderohet si një trajtë fillestare, me nuancim “natyror” e kësaj forme demokracie.
Demokracia e drejtpërdrejtë është e ndryshme nga demokracia përfaqësuese. Në rastin e dytë, sovraniteti i popullit delegohet për një periudhë të caktuar tek një grup njerëzish, tek përfaqësuesit e zgjedhur prej tij. Duke pasur parasysh procesin e delegimit dhe kohën e kufizuar të këtij delegimi, është një “nonsense” politik përfundimi apo pretendimi se vullneti i këtij grupi përfaqësues është “mot à mot” dhe shprehja e plotë e vullnetit të sovranit (popullit). Ky është dhe gabimi i madh, pse jo dhe naiviteti primitiv, mbi konceptimin parlamentar të sovranitetit nga jo pak përfaqësues të shumicës së sotme politike. Por deformimi i sotëm shqiptar i konceptit demokratik të shtetit të së drejtës nuk mbyllet vetëm aty. Po aq mishërues dhe manifestues është dhe identifikimi i funksionimit të shtetit, jo mbi parimet kushtetuese të ndarjes, kontroll-balancimit të pushteteve por mbi vullnetin politik të shumicës parlamentare!...
* * *
Ndër kolonat bazë të demokracisë së drejtpërdrejtë mund të konsiderohen iniciativat qytetare dhe referendumet, që diku veçohen e diku interferojnë midis tyre. Iniciativa qytetare nënkupton atë iniciativë, në të cilën me anë të një peticioni të firmosur nga një numër i caktuar qytetarësh-votues imponohet: në variantin maksimal një votim popullor apo referendum mbi çështje të caktuara, që mund të lidhen me probleme organizative-administrative, mjedisore, urbane etj.; apo me amendamente kushtetuese, me procese anëtarësimi të vendit, me sistemin politik të tij etj.; dhe në variantin minimal jo patjetër për të kaluar në një votim popullor, por për të bërë urgjente shqyrtimin e problematikës së peticionit nga strukturat ekzekutive apo legjislative. Po ashtu, këto iniciativa mund të hidhen drejtpërsëdrejti në votim popullor apo në një etapë të dytë, pas miratimit të tyre në strukturat legjislative.
Duke qenë një mjet civil, përgjithësisht politikisht neutral, iniciativa qytetare apo referendumi mund të shfaqin të dy prirjet: ato progresive apo ato konservatore (jo në kuptimin pezhorativ). P.sh., në referendumin për miratimin e projekt-kushtetutës evropiane në Francë e Holandë u shfaq prirja konservatore, ndërkohë që në disa vende të tjera evropiane prirja progresive. Në mjaft raste, iniciativat qytetar apo referendumet kanë dhe pamjen e iniciativave të pakicës, për të pasqyruar shqetësimet e kësaj të fundit, por dhe për t’iu kundërvënë në mënyrë demokratike arbitraritetit e abuzimit të shumicës qeverisëse. Apo dhe bashkimeve artificiale politike për qëllime të caktuara!
* * *
Në kuptimin e legjislacionit shqiptar nuk bëhet ndonjë dallim midis iniciativës qytetare apo referendumit. Bile, gjithçka e lidhur me to, përmbahet në një term të vetëm - atë të referendumit. Por, gjithmonë, brenda konceptimit të ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, ndaj së cilës mund të aplikohen kufizime kushtetuese vetëm për çështje thellësisht kombëtare apo financiare-fiskale.
Kërkesa për organizimin e një referendumi për të hedhur poshtë ose për të miratuar amendamentet e fundit kushtetuese, të miratuara në Kuvend dhe tashmë të dekretuara, nuk shfaq kufizime të tilla. Përkundrazi. Por, ajo pasqyron dhe një specifikë të politikës shqiptare.
Së pari, në rrafshin politik, në miratimin parlamentar të amendamenteve kushtetuese, u bashkuan pjesa dërrmuese e shumicës dhe ajo e pakicës, të përfaqësuara kryesisht nga PD-ja dhe PS-ja. Mbeti vetëm një pakicë parlamentare, nën numrin e nevojshëm (28 deputetë), për t’i hedhur këto amendamente menjëherë në referendum.
Së dyti, përfaqësuesit e PD-së dhe të PS-së, që normalisht duhet të respektonin deri në fund procedurat kushtetuese dhe mbylljen e tyre përfundimtare referendare, as nuk e kanë marrë mundimin ta diskutonin një mundësi të tillë. Ndërsa më të devotshmit kanë argumentuar dhe “çudira”. Ndoshta, nuk ka munguar dhe shqetësimi për përballje në një referendum të tillë. Ndërkohë që gjithçka është sa e thjeshtë, po aq parimore. Dërgimi në popull i ndryshimeve kushtetuese apo i ligjeve të rëndësishme, që lidhen ngushtësisht me interesat e qytetarëve, u jep mundësi politikanëve realisht demokratë, që të shmangin vështirësitë e natyrave të ndryshme, konfliktet e panevojshme apo dhe vendime “kontraversale”.
Së treti, parë në këtë frymë, partitë që miratuan së bashku ndryshimet e fundit kushtetuese, po të ishin krejtësisht të ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e tyre, për të mishëruar dhe një vullnet popullor, në mënyrë të natyrshme duhet të ishin po ato, që të kërkonin të miratoheshin dhe nga populli ndryshimet e fundit kushtetuese. Të paktën, pa dëshirë, por për seriozitet! Në mos ndaj popullit, që i drejtohen çdo ditë e orë, ndaj vëzhgimit ndërkombëtar! Aq më tepër që prekja e kushtetutës në të gjitha vendet serioze demokratike shoqërohet me miratim popullor. Pra, vetë ato parti duhet të ishin pioniere, flamurtare të referendumit. Por jo për të kundërtën, për të vënë në lëvizje struktura, marifete e pengesa kohore!
Leximi më i mirë i funksionimit i këtyre orientimeve është votimi i fundit refuzues, në raportin 8 me 1, në KQZ-në tashmë të shkrirë po nga këto amendamente kushtetuese. Me të vërtetë, po të shihet përfaqësimi politik në këtë organ, që normalisht duhet të ishte një institucion kushtetues dhe i pavarur, dhe jo partiak dhe i varur, me lehtësi mund të jepej po ky rezultat: 8 me 1 dhe para çdo votimi në atë organ! Me logjikën e shumicës së sotme parlamentare dhe ata, megjithëse “të deleguar të deleguarve”, janë përfaqësues të sovranit!
Së katërti, dhe angazhimi konkret i PS-së për kalimin në referendum të këtyre amendamenteve, do të ishte realisht pasqyrimi më i mirë i kuptimit të tezave të përdorura apo të hedhura në kuadër të “Dialog”-ut, nëpër Shqipëri, për një politikë të re për njeriun, për një politikë përfshirëse qytetare dhe një angazhim sa më të përgjegjshëm qytetar në vendimmarrje. Por, pse jo dhe për PD-në, që pretendon diçka të ngjashme, dhe në kuadër të fushatës demagogjike të kryetarit të PD-së me pretekstin e NATO-s, në kundërvënie apo “harresë” të Gërdecit!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›