E Diel, 1 Nëntor 2026

ART largon 14 transmetues ilegalë serbë

Autoritetit Rregullativ i Telekomunikacionit në Kosovë (ART) ka ndërmarrë sot një aksion për largimin e transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë që veprojnë pa licencë në territorin e Kosovës.

Udhëheqësi i ART-së, Ekrem Hoxha, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë mënjanuar 14 stacione bazë të transmetuesve serbë në Kosovë.

Derisa mediat serbe raportojnë se aksioni është ndërmarrë në pjesën qendrore të Kosovës, Hoxha ka thënë se transmetues ilegalë janë larguar jo vetëm në rajonin e Prishtinës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Sipas tij, aksioni do të vazhdojë.

Në rast të përpjekjeve për rivendosjen e tyre, Hoxha tha se “nuk ka resurse për të qëndruar në vend të ngjarjes”. “Në qoftë se rivendosen, prapë janë ilegale dhe është vetëm çështje kohe për mënjanim”, ka thënë Hoxha.

Sipas njoftimeve nga mediat serbe, deri më tash janë mënjanuar transmetuesit e “Telekom”, “Telenor” dhe “Vip”.

Përfaqësuesit e "Telenor"-it kanë thënë se këtij transmetuesi i janë shkyçur dy stacione bazë, në rajonin e Graçanicës dhe në Uglar.

Radio Televizioni i Serbisë ka informuar se njësitet speciale të policisë së Kosovës kanë çmontuar pajimet e telefonisë mobile të ndërmarrjeve të Serbisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›