E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARZH përfundon procesin e buxhetimit me pjesëmarrje në Librazhd dhe Fushkrujë

Në Këshillat bashkiakë të qytetit të Librazhdit dhe Fushë Krujës, në përfundim të projektit "Proçesi i buxhetimit me pjesëmarrje", u miratuan të gjitha projektet e qytetarëve, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë Rajonale të Zhvillimit (ARZH) në Tiranë, Ilir Rëmbeci. Kjo agjenci, sapo ka përfunduar ditët e fundit projektin "Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje" në bashkitë e Librazhdit dhe Fushë Krujës, me mbështetjen e Programit të  Qeverisjes Vendore në Shqipëri "LGPA", i USAID. Sipas Rëmbecit, projektet kanë në qendër kryesisht përmirësimin e infrasturkturës dhe të jetës social-kulturore të komunitetit në këto qytete. "Projekti mbi buxhetimin me pjesëmarrje synon të gjenerojë përfitime të prekshme dhe të përhershme për komunitetin, duke krijuar lidhje të fortë besimi ndërmjet autoriteteve vendore, qytetarëve, bizneseve dhe shoqërisë civile, duke ndihmuar në mirëqeverisje", nënvizoi Rëmbeci. Ai shtoi se buxhetimi me pjesëmarrje është një instrument i fuqishëm për gjithëpërfshirjen e komunitetit në hartimin e buxhetit dhe pjesë e transformimit drejt një shoqërie të hapur dhe demokratike. Agjencia Rajonale e Zhvillimit, e cila është krijuar në vitin 1992, kontribuon në bashkëpunim me komunitetin lokal të biznesit, donatorët e huaj, autoritetet lokale e qendrore dhe OJF-të për të përmirësuar klimën e biznesit dhe nxitur zhvillimin ekonomik në rajon, nëpërmjet zbatimit të programeve të koordinimit si dhe duke vepruar si qendër burimore sektoriale. ARZH ka një rrjet partnerësh të vendosur sipas rajoneve në qytetet Tiranë, Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Krujë, Shkodër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›