Sqarimet e qeverisë “Berisha”: Karta falas për të gjithë qytetarët në nevojë
Zëvendëministri i Financave Sherefedin Shehu deklaroi sot se nga skema e rimbursimit për pajisjen me karta identiteti, do të përfitojnë shtresat në nevojë, që janë para dhe tetra plegjikët, pensionistët, studentët dhe të gjithë ata persona që përfitojnë ndihmë ekonomike. "Që në muajin janar me fillimin e projektit të shpërndarjes së kartave të identitetit, qeveria hartoi edhe skemën e kompensimit për të mbështetur shtresat në nevojë" deklaroi Shehu. Sipas tij, me kalimin e kohës qeveria zgjeroi edhe skemën e përfituesve për të mbështetur shtresat e tjera, të cilat u paraqitën me nivel të ulët të të ardhurave. "Në këtë kuadër qeveria të mërkurën bëri një ndryshim substancial për mënyrën e kompensimit. Nëpërmjet zbatimit të kësaj skeme nuk ka më hapësirë për kompensim të shtresave të tjera" vijoi ai. Numri dy i Financave Publike, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës, sipas së cilës qeveria ka vendosur një taksë për votë, tha se "asnjëherë nuk ka patur një taksë të tillë". Sipas Shehut, taksa është një pagesë e pakthyeshme, ndërsa pagesa për pajisjen me kartë
identiteti, do të rimbursohet nga qeveria për shtresat në nevojë. Duke sqaruar vendimin e qeverisë në mbledhjen e saj të fundit (e mërkurë), Shehu tha se nga vendimi do të përfitojnë të gjithë para dhe tetra plegjikët, si dhe ata që vuajnë dënimin. Për këtë kategori kompensimi nga qeveria do të jetë i plotë, pra 1 200 lekë. Gjithashtu, sipas vendimit të qeverisë, Shehu tha se një tjetër kategori që do të pëfitojë, janë edhe pensionistët.
"Për të gjithë ata pensionistë, të cilët kanë pensione minimale dhe pensionistët e fshatit dhe që llogariten mbi 200 mijë qeveria do të kompensojë rreth 1 000 lekë, ndërsa për pensionistët e q
ytetit kompensimi nga qeveria do të jetë në masën 7 00 lekë", theksoi Shehu. Por, ai shtoi se nga vendimi i qeverisë do të përfitojnë edhe studentët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekoonmike. Sipas Shehut, ajo që është e re në vendimin e qeverisë është se ka ndryshuar mekanizmi i kompensimit. Ai tha se nëpërmjet këtij vendimi personat e lartpërmendur do të marrin masën e kompensimit nga qeveria në vlerën e caktuar dhe më pas do të aplikojnë. "Në rast se personat që do të pëfitojnë kompensim nuk do të aplikojnë për pajisjen me karta identiteti deri në 15 qershor, kur është edhe afati i fundit, ata do të bëhen debitor dhe do t'u mbahet masa e dhënë nga institucionet përkatëse, që mund të jenë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Ministritë e linjës apo edhe Bashkitë dhe Komunat", tha Shehu. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë me qeverinë për të realizuar këtë proçes, që të arrijmë zgjedhje me standarde. "Opozita duhet të falenderojë qeverinë për masat. Unë besoj se vendimi i qeverisë është edhe në linjë me kërkesat e opozitës nëse vërtet ajo ka qënë serioze", deklaroi Shehu. Zëvendësministri Shehu deklaroi gjithashtu, se asnjë institucion nuk mund të justifikohet me faktin se nuk ka fonde në dispozicion, pasi është bashkërenduar puna me degët e thesarit për dërgimin automatikisht të fondeve për institucionet, nëse nuk kanë para për të blerë kuponat. Ai tha gjithashtu se institucionet mund të kërkojnë alokim edhe nga ministritë e linjës, në rast nevoje. Sipas tij, fondi për kompensim të shtresave në nevojë, që llogaritet afërsisht 500 milion lekë, do të mbulohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
...