E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Teksas, krahu i djathtë i Renato Çamit

Gramoz Yzeiri e ka kryer vrasje në bashkëpunim me Renato Saliajn, i njohur me nofkën Renato Çami, i konsideruar si " i forti i Fierit". Yzeiri strehohej në SHBA ku ka edhe të vëllanë prej disa vitesh 

WASHINGTON-Arrestohet në Teksas të SHBA, krahu i djathtë i Renato Çamit. Gramoz Yzeiri është arrestuar nga skuadra e ISE e Interpol Uashingtonit, për qëllim ekstradimi në Shqipëri. Yzeiri rezulton i shpallur në kërkim për vrasjen e Xheladin Qelias, ngjarje e ndodhur në mes të Fierit, në vitin 1998. Lajmi është konfirmuar për INTERPOL Tiranën nga autoritetet amerikane, në orët e mesditës së djeshme. Sipas Ministrisë së Brendshme, Yzeiri e ka kryer vrasjen në bashkëpunim me Renato Saliajn, i njohur me nofkën Renato Çami. Qelia është marrë me një furgon pranë 'Bar Rina', në Fier dhe pasi është dërguar në qendër të qytetit, është qëlluar për vdekje me breshëri. Ngjarja dyshohet se ka lidhje me masakrën e ndodhur në lokalin "Zërat e Natës", në vitin 1994, në Fier, ku është vrarë nipi i Renatos dhe është plagosur vetë ai. Yzeiri mundi të shmangte hetimet për këtë ngjarje, e cila është rihapur vetëm 3-4 vjet më parë. Policia e Fierit këmbënguli dy vjet më parë se, Yzeiri strehohej në SHBA ku ka edhe të vëllanë, ndërsa informacionet e INTERPOL ishin fokusuar për një vendndodhje në mundshme në Itali ose Greqi. Arrestimi i kryer nga agjentët e ISE, konfirmuan versionin e policisë së Fierit, e cila ishte iniciatore e dërgimit të dosjes, karakteristikave dhe gjurmëve të gishtërinjve të Yzeirit INTERPOL Uashingtonit. Yzeiri njihet si krahu i djathtë i Renato Çamit, të cilit veç ekzekutimit të Qelias, i janë hapur dosjet si i dyshuar kryesor edhe për 3 vrasje të tjera. Yzeiri dhe Renato Çami i shpëtuan operacionit të RENEA-s, për kapjen e tyre në 19 prill të vitit 2004. Nga kontrolli në banesa atyre iu sekuestruan 2 automatikë, një kundërtank, një arme "Bruz", një "Shotgan", një armë sportive, 3 pistoleta, 6 predha kundërtanku, fishekë, 2 pajisje për përpunimin dhe përzierjen e lëndëve narkotike, 60.9 kg pluhur me karakteristika heroine si dhe pasaporta e certifikata të falsifikuara. Pavarësisht këtyre, të dy këta lëviznin të lirë, pa urdhra ndalimi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›