ASD, në 2009 depozitat u rritën me 6 për qind
Ndonëse viti që lamë pas u konsiderua një vit që u ndikua shumë nga kriza ekonomike, shqiptarët mund të rikthejnë besimin në banka dhe të rikthejnë kursimet e tyre. Në vitin 2009, shqiptarët ritën nivelin e depozitave që çuan në bankat e nivelit të dytë, ndonëse interesi nuk është rritur. Në fund të vitit 2009, depozitat e shqiptarëve në banka janë rritur me 6% më shumë se viti paraardhës, duke shtuar likuiditetet në sistem. Ky fakt konfirmohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD). Raporti i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave u paraqit dje në Komisionin e Ekonomisë. Sipas kësaj agjencie Depozitat e klientëve të sistemit bankar shqiptar në fund të vitit 2009 u rritën me 6.6 për qind në krahasim me fundin e vitit 2008, ndërkohë që depozitat e individëve që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave zënë një peshë prej 83 për qind kundrejt totalit të depozitave në sistemin bankar. Ndërkohë që nga depozitat e individëve 71 për qind e tyre janë të siguruara. Për periudhën njëvjeçare dhjetor 2008 - dhjetor 2009 për depozitat e individëve në valutë vërehet një rritje prej 7.5 për qind dhe një rënie prej 5 për qind e depozitave në lekë. Kapitali i agjencisë deri në 31 dhjetor të vitit 2009 ishte 7.910.032.712,06 lekë. Ai përbëhet nga fondi themeltar prej 400.000.000 lekësh, fitimi i akumuluar dhe i pashpërndarë i viteve të kaluara prej 5.932.595,92 lekësh si dhe fitimi i vitit ushtrimor prej 1.577.437.652,14 lekësh. Të gjitha bankat e nivelit të dytë janë pjesë e skemës së sigurimit të depozitave. Për çdo bankë të siguruar, primi vjetor i sigurimit të depozitës është 0.5 për qind e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, të regjistruar në fund të çdo dite pune, për tre muajt e fundit të vitit. Të ardhurat nga primi i sigurimit, të cilat përbëjnë edhe burimin kryesor të të ardhurave të agjencisë, për vitin 2009 arritën në shumën 1.068.408 lekë, të cilat, krahasuar me një vit më parë, kanë shënuar një rritje prej rreth 5.9 për qind. Bazuar në ligjin "Për sigurimin e depozitave", Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron depozitat e klientëve që mbajnë kursimet e tyre në bankat e nivelit të dytë, pra në të gjitha subjektet që licencohen nga BSH, për kryerjen e aktivitetit bankar. Agjencia e Sigurimit të Depozitave ofron sigurim dhe kompensim vetëm për depozitat e individëve deri në 700 mijë lekë, pavarësisht se ato janë në lekë apo valutë. Në ligjin "Për sigurimin e depozitave" janë përcaktuar nivelet për kompensimin e depozitave në nivel maksimal 700 mijë lekë e me një aplikim co-insurance 15 për qind të pjesës së mbetur mbi 350 mijë lekë.