E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Arbrit, tuneli shkurtohet 700 metër

15/04/2010 Projekti

Tuneli prej 3.5 kilometër që do të ndërtohet në Rrugën e Arbrit do të shkurtohet me rreth 700 metër linear, ndërkohë që projekti përfundimtar mund të jetë gati për afërsisht dy muaj. "Është vendosur që të ngrihet tuneli në kuotë, nga kuotat rreth 820 në kuota 930-940, pra, rreth 100-120 metra. Kjo do të ketë një impakt pozitiv, si në koston e ndërtimit të këtij tuneli, në sigurinë e këtij ndërtimi, sepse takohen formacione te mira, nga pikëpamja gjeologjike, gjithashtu dhe në afatet e ndërtimit të këtij tuneli, që është shumë e rëndësishme", tha Faruk Kaba, drejtor Infratransprojekt. Shkurtimi i tunelit ul kostot e ndërtimit, por ndryshe nga se ka qenë parashikuar në studimin e fizibilitetit kjo rrugë do të jetë më e shtrenjtë. "Nga Tirana deri në urën e Cerenecit do kushtojë rreth 300 milionë euro", vijoi Kaba. Rruga e Arbrit është një nga arteriet e rëndësishme që lidh Tiranën me pjesën lindore të vendit. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin. Rruga e Dibrës, e quajtur "Rruga e Arbrit", është e gjatë 75 kilometra. Rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 kilometra në orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, edhe se përgjatohet ose ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Rruga e Arbrit do të kalojë në 10 zona, ku do të shkurtojë 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Fillimet e saj i ka në Tiranë, më pas në Zall-Dajt, Muizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Ura e Çerenecit, Gjoricë, Dibër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›