ASHR, kontroll klinikave private për mbetjet spitalore
Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka ndërmarrë një nismë për ushtrimin e kontrolleve në të gjitha klinikat private të kryeqytetit për të mundësuar shkatërrimin e mbetjeve spitalore.
Drejtuesit e ASHR-së, bëjnë të ditur se shumica e klinikave private nuk i asgjësojnë mbetjet spitalore, por i hedhin ato në koshat e lagjeve ku ushtrojnë aktivitetin. Duke pasur parasysh se pjesë e mbetjeve janë mjaft materiale të dëmshme, ato janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve që jetojnë pranë këtyre zonave. Nga ana tjetër, këto klinika nuk kanë kontratë me firmat që duhet të mbledhin dhe asgjësojnë të gjitha produktet mjekësore të rrezikshme. Specialistët kanë paralajmëruar të gjitha klinikat private, për marrjen e masave, pasi në të kundërt do të vendosin gjoba, apo do të shkojnë deri në mbyllje të aktivitetit. Mbetjet janë një rrezik i vazhdueshëm për qytetarët pasi ato kanë përmbajtje të ilaçeve, të cilat nëse digjen njëlloj me mbeturinat e tjera lëshojnë gaze të dëmshme në atmosferë. Qytetarët që bien në kontakt me këto mbetje rrezikohen nga infeksione të ndryshme që mund t’i marrin nëpërmjet gazrave që lëshohen prej tyre ose nga kontakti i drejtpërdrejtë me to. Aktualisht, djegia e mbetjeve spitalore bëhet vetëm në QSUT, por edhe në këtë rast funksioni i Inceneratorit nuk është i përhershëm. Por edhe kjo aparaturë nuk është brenda standardeve për të kryer plotësisht përpunimin e mbeturinave pa lënë gjurmë rreziku në atmosferë. Mbetje spitalore konsiderohen mjetet e mprehta me të cilat janë kryer operacionet, veshjet gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku etj. Fajin për krijimin e kësaj situate e kanë drejtoritë e spitaleve, të cilat nuk kujdesen për këtë çështje pasi baza ligjore për mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore është brenda standardeve bashkëkohore.
31 Korrik 2009