E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, kuotat që propozojnë tre universitetet e Tiranës



Jonida Tashi

Rreth 11 mijë studentë të rinj do të kenë mundësi të ulen në auditorët e tre universiteteve të kryeqytetit në tetor. Bëhet fjalë për Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik si dhe atë Bujqësor. Po ndërsa universiteti më i madh në vend, ai i Tiranës i ka propozuar qeverisë rreth 7 mijë kuota pranimi, krejt e kundërta ka ndodhur me atë karshi tij, Politeknikun si dhe me Bujqësorin. Drejtuesit e këtyre dy universiteteve, duke marrë parasysh kapacitetet në ambiente dhe staf pedagogjik i kanë kërkuar qeverisë të pranojnë një numër të njëjtë studentësh me ata të vitit të kaluar. Aktualisht, kuotat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për miratim në Ministrinë e Arsimit. Por, pavarësisht se drejtuesit e universiteteve kanë bërë propozimet përkatëse, është Ministria e Arsimit ajo që do të marrë përsipër miratimin e kuotave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre. Gjithsesi, praktika e ndjekur në vitet e kaluara ka treguar që Ministria e Arsimit ka miratuar të njëjtat kuota që kanë propozuar universitetet për pranimet e reja, dhe kjo për të vetmen arsye, pasi drejtuesit e tyre i njohin më nga afër kapacitet që kanë fakultetet në varësi.
Universiteti i Tiranës
Në total, vetëm për studimet me kohë të plotë, Universiteti i Tiranës (UT), propozon që vitin e ardhshëm të pranohen afro 5200 studentë të rinj. Nga shpërndarja e kuotave sipas tetë fakulteteve të UT-së, një numër i lartë kuotash pranimi, i është dhënë Fakultetit të Ekonomisë, rreth 1230 të tilla. Po ashtu, një numër i lartë kuotash pranimi është propozuar edhe për Fakultetin e Histori-Filologjisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë Shkencave të Natyrës. Ndërsa janë rritur kuotat e pranimit për disa degë, në kah të kundërt janë bërë propozimet për pjesën më të madhe të tyre. Sipas propozimeve të bëra, ulen pranimet tek Gazetaria, Stomatologjia, me 10 kuota më pak këtë vit. Më e theksuar ulja vihet re tek Farmacia me 40 studentë, dhe Informatika Ekonomike me 36 pranime. Po ashtu, edhe Shkencat Politike këtë vit do të pranojnë 20 studentë më pak se vitin e kaluar. I vetmi fakultet i Universitetit të Tiranës, për të cilin kuotat e pranimit janë rritur në mënyrë galopante është ai i Drejtësisë, i cili vitin e ri akademik do të pranojë 300 studentë më shumë, duke e çuar në 700 numrin total të pranimeve nga 400 që ka qenë vjet. Një rritje të vogël kuotash pranimi do të ketë edhe dega e Punës Sociale, e cila ka kërkuar 20 studentë më shumë. Përfshirë edhe kuotat për studimet me kohë të pjesshme, numri i studentëve që do të ulen në auditorët e UT-së, gjatë vitit akademik 2009-2010, shkon në 7 mijë. Shifër kjo, tepër e lartë, krahasuar me pranimet që janë bërë në vitet e mëparshme në këtë universitet.
Politekniku
Universiteti Politeknik i Tiranës do të hap dyert për mbi 1300 studentë të rinj gjatë vitit akademik 2009-2010. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Politeknikut, studimet me kohë të plotë, gjatë vitit të ri akademik, pranë gjashtë fakulteteve të këtij universiteti, do të kenë të drejtë t’i ndjekin vetëm 1335 studentë. Inxhinieria e Ndërtimit dhe ajo Mekanike renditen të parat në listë për numrin më të lartë të kuotave të pranimit, me nga 150 studentë në secilën prej tyre. Fill pas dy degëve ixhinierike, vjen një tjetër degë e preferuar nga të rinjtë për studimet e larta, që është ajo e Arkitekturës, me 100 kuota pranimi. Ndërsa për degët e tjera të fakulteteve të Politeknikut është propozuar një numër i vogël kuotash pranimi, që varion nga 30-80 studentë për degë.
Bujqësori
Universiteti Bujqësor i Tiranës do të pres në tetor 2570 studentë të rinj. Degët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit do të kenë numrin më të lartë të kuotave të pranimit në Universitetin Bujqësor, pasi për të tria degët e këtij fakulteti janë propozuar nga 150 kuota pranimi për secilën prej tyre. Por, megjithëse kuotat e pranimit do të jenë më të larta për Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, më shumë studentë gjatë vitit të ardhshëm akademik do të pranohen në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, për arsye se ky fakultet ofron më shumë degë studimi (shtatë programe studimit), karshi fakulteteve të tjera të Bujqësorit. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Universitetit Bujqësor, në total, kuotat e pranimit për Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit janë 650, të cilat janë shpërndarë në mënyrë të barabartë në gjashtë degë me nga 100 pranime, kurse vetëm për degën Agromekanizëm janë propozuar 50 kuota. Në vitin akademik 2009-2010, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), do të çelë studimet edhe për sistemin me kohë të pjesshme. UBT-ja i ka propozuar Ministrisë së Arsimit, që në këtë sistem studimi, në vitin e ri akademik të pranohen 700 studentë, nga të cilat pjesën më të madhe të tyre do t’i ketë sërish Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, si edhe ai i Bujqësisë dhe Mjedisit. Regjistrimi në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme do të nisë në muajin nëntor, fill pas përfundimit të fazave të pranimit në ciklin e parë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Përzgjedhja e fituesve për studimet e pjesshme do të bëhet nga një grup i posaçëm, i ngritur në fakultetet përkatëse, ku kriter bazë për përzgjedhjen e kandidatëve do të jetë mesatarja e shkollës së mesme ku ata kanë përfunduar, si edhe kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa për kategoritë e tjera të individëve që dëshirojnë të ndjekin sistemin e pjesshëm të studimeve janë përcaktuar kushte të tjera pranimi. Kështu, kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, do ta fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë universitetet ku ata kërkojnë të studiojnë.

Universiteti Politeknik i Tiranës Kuota
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
Inxhinieri Ndërtimi 150
Inxhinieri Mjedisi 50
Inxhinieri Hidroteknik 80
Inxhinieri Gjeodezi 60
Arkitekturë 100
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
Inxhinieri Elektronike 30
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 30
Inxhinieri Informatike 30
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 150
Inxhinieri Materiale 60
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 60
Fakulteti i Gjeologji-Miniera
Inxhinieri Gjeologjike-Shkencat e Tokës 60
Inxhinieri e Gjeoburimeve 70
Inxhinieri Gjeoinformatikë 50
Fakulteti i Formimit të Përgjithshëm
Inxhinieri Matematike 60
Inxhinieri Fizike 60
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
Inxhinieri Elektrike Energjetikë 60
Inxhinieri Elek. Automatizim i Industrisë 60
Pranë Universitetit Politeknik
Inxhinieri Mekatronikë 60

Kuotat e pranimit për studentët jashtë trojeve shqiptare
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit Kuotat
Inxhinieri Elektronike 5
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 5
Inxhinieri Informatike 5
Fakulteti i Formimit të Përgjithshëm
Inxhinieri Matematike 5
Inxhinieri Fizike 5
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 10
Inxhinieri Materiale 10
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 10

Kuotat për studimet me kohë të pjesshme
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Logjistikë Prodhimi 40

Bilanci
Ministria e Arsimit: Këtë vit do ta humbasin më pak të rinj universitetin

Me mbarimin e katër provime të Maturës, drejtuesit e arsimit kanë bërë një bilanc të maturantëve që do të hyjnë në universitete. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, numri i atyre që do të humbasin vitin e ri akademik është tepër i ulët, krahasuar me një vit më parë. Për këtë, Vejsiu u shpreh: “Po ju deklaroj se janë 550 nxënës që kanë kërkuar rivlerësim në Letërsi, nga të cilët, 150 kanë pasur ndryshime. Në Matematikë 600 nxënës kërkuan rivlerësim, nga të cilët, 250 iu ndryshua vlerësimi, 30 me më pak pikë sesa kishin marr dhe pjesa tjetër, nga 1 deri në 4 pikë”.

Nuk ndryshon skema
Javën e ardhshme nis shpërndarja e teksteve shkollore

Përsëritet historia me shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit e arsimit të detyruar. Ministri i Arsimit, Fatos Beja ka përsëritur dje, premtimin e bërë edhe një vit më parë, se tekstet shkollore do të jenë në treg në datën 1 gusht, gjë që vjet nuk ndodhi. Sipas kreut të Arsimit, duke filluar që nga java që vjen do të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore në të gjitha shkollat e sistemit para universitar në të gjithë vendin. Ndërsa përsa i përket skemës së shpërndarjes, Beja ka sqaruar se ajo do të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë. Të gjithë prindërit do të kompensohen në masën 50%, ndërkohë që për kategori të ndryshme, kjo përqindje ndryshon. Këtë vit janë certifikuar rreth 544 tekste shkollore.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›