E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri nuk garanton qëndrimin në Basel

Xherdan Shaqiri e ka të paqartë të ardhmen. Mesfushori kosovar nuk ka dhënë garanci se do të mbetet në Basel, duke mos e përjashtuar mundësinë e largimit gjatë verës. Janë shumë skuadra që e kërkojnë 19-vjeçarin, por udhëheqësit e klubit zviceran shpresojnë që ylli i tyre i ri të mos largohet. Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 13:15

Xherdan Shaqiri është shndërruar në qendër të vëmendjes, në afatin kalimtar të verës. Mesfushori kosovar është bërë objektiv i shumë skuadrave të njohura evropiane. 19-vjeçari është i vetëdijshëm për interesimin e skuadrave.

Gjilanasi e ka gjuajtur një ‘bombë’ të mërkurën, kur ka folur ekskluzivisht për të ardhmen e tij. Përfaqësuesi zviceran ka thënë se nuk garanton se do të mbetet në Basel, gjatë kësaj vere.

“Nuk mund të premtoj se do të mbetem në Basel. Në futboll është gjithmonë e vështirë kjo. Nuk kam biseduar ende me zëvendëspresidentin Bernhard Heusler dhe nuk e di nëse ka oferta. Për momentin jam lojtar i Baselit dhe ndihem rehat këtu. Do të punoj fort, e më pas të shohim se çka do të ndodhë”, tha Shaqiri për magazinën zvicerane, Blick.

Zëvendës presidenti i Baselit, Bernhard Heusler thotë se kampioni zviceran nuk dëshiron ta lëshojë Shaqirin, por as zyrtari i klubit zviceran nuk është i sigurt për të ardhmen e talentit kosovar.

Ai i cili i frikësohet më së shumti largimit të Shaqirit është trajneri Thorsten Fink. Ky i fundit e ka vështirë ta paramendojë ekipin e tij pa futbollistin kosovar. “Pres që ai të rri këtu. Do të ishte mjaft i rëndësishëm për ne, ai është lojtar i madh. Nuk dëshiroj që klubi të bëhet i pasur, por i suksesshëm”, tha Fink.

Skuadrat që kanë shfaqur interesim për Shaqirin janë të shumta. Duke nisur nga Bayern Munchen, Hamburg e Borussia Dortmund në Gjermani, për të vazhduar me Liverpool e Manchester United në Angli, por edhe Inter, Juventus, Roma, Lazio e Milan në Itali. Afati kalimtar i verës përfundon më 31 gusht dhe deri atëherë, gjithçka rreth të ardhmes së Shaqirit mund të ndodh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›