E Diel, 1 Nëntor 2026

ATRIBUIMI I RASTËSISË

...ato që njohim përgjysmë (!)

Varet gjithnjë nga tipari ynë themelor, nëse jemi pozitivë apo negativë. Që këtej buron më pak e keqja: dhuna e ftohtë (sigurisht po aq e keqe dhe e rëndë sa edhe dhuna “e nxehtë”), ose përqafimi i ngrohtë. Edhe një vonesë e thjeshtë e bën merak njeriun, jo më elemente tragjike ose tragjedi të vërteta. (Pse u vonua kaq? ç’hall do të ketë? ç’e ka gjetur, vallë?...) Dhe ngrihet dyshimi... Nganjëherë edhe veprimet e rastësishme bëhen shkak për komente të afërta me synimin, apo krejt të largëta. Në këtë rast komenti buron nga vetvetja, dëshira jote dhe synimi që ti ruan të fshehtë.Në një koment të qëllimshëm është rastësia që mbizotëron te bashkëbiseduesi për ta zbuluar ose jo ku synohet. Por edhe e kundërta: grupi ose personi mund ta zbulojë rastësisht qëllimin kryesor të fjalës e të diskutimit. Kështu, një nga ish-komandantët e flotës detare shqiptare (në një tregim televiziv) nuk bëri bujë, por e nënvizoi enkas fjalinë e tij të famshme: “Vendi ynë ka edhe 30 mijë km2 territor detar, më i madh se 28 mijë km2 tokë që aktualisht i zotëron...”. Dikush mbeti gati pa frymë dhe nënvizoi: Kjo me të vërtetë është mjaft e rëndësishme! Dhe të gjesh një gjë kaq të madhe e të fortë, krejt rastësisht, është me të vërtetë një gjë e bukur. Porse të vërtetat e mëdha kështu gjenden, rastësisht. Në këtë mënyrë shembujt nuk kanë fund, por ne do të qëndrojmë te ky element i thjeshtë, te ky atribut i rastësisë.
Ish-komandanti i flotës detare shqiptare në tregimin televiziv nënvizoi atë që kishte pasur një rëndësi të madhe jetike në njohjen e tij, kurse dëgjuesit e interesuar nxjerrin (po rastësisht) përfundimet e tyre. Ne paskemi edhe 30 mijë km2 territor detar dhe si nuk na ka shkuar mendja! Një tjetër: si është e mundur që nuk jemi menduar ndonjëherë për këtë pasuri të madhe? Si mund ta shfrytëzojmë këtë territor? Po qeveria, si, a ka ndonjë pikë të programit për këtë territor të gjerë, apo edhe qeveria varet prej atribuimit të rastësisë? Për shembull, a ka ndonjë këshilltar për detin dhe territoret e gjera detare të pashfrytëzuara (ta zëmë) Kryeministri ose Presidenti? Jo. Por edhe më tej. Dikush hodhi tezën e nxjerrjes së naftës në det, për platforma detare gjigante, për perspektiva të shkëlqyera, për një Adriatik si deti i Veriut etj. Por këto dhembje të buruara prej një atribuimi krejt të rastësishëm sikur na duken të largëta dhe që e kanë shëruar vetveten nëpërmjet harresës. Dhe befas ngremë një dolli për mrekullinë e harresës!
Meqë jemi tek atribuimi i rastësishëm, pse, ç’mund të bënim ne me 30 mijë km2 det? Një tjetër, atë që po bëjmë me 28 mijë km2 tokë! A e bëjmë pis tokën, rrafshin tonë kontinental? Por ne edhe detin e bëjmë aq pis sa s’ka! Dhe ju, detarë a kontinentalë, na thënkeni se ne nuk e dimë që e kemi detin, banjën tonë publike të hatashme, aty ku laturisemi në plazhe, aty ku vjedhim rërë, aty ku hedhim mbeturina? Doni më? Ikni po të doni dhe shihni mbeturinat e hatashme të Ishmit të vogël në grykëderdhje! Pastaj le të shohim nëse ju hyn në punë ky atribuim i rastësishëm!
I thosha një ditë një mikut tim, me përgjegjësi në kufirin shqiptar: pse të mos i kthehemi turizmit në gjithë brezin tonë kufitar, tokësor dhe bregdetar? Ai bëri buzën në gaz dhe ne nuk jemi takuar më. Sikur të ndodhte që të takoheshim me siguri do të gjeja nëse rastësisht do t’i kishte bërë ndonjë përshtypje mendimi krejt i rastit për turizmin kufitar në Shqipëri. Po. Turizëm në Bunë, në liqenin e Shkodrës, në Cem, në Vermosh, në Bjeshkët e Nemuna, në Malësinë e Gjakovës, në Koritnik, në Gjalicën e Lumës, Shistavec, Korab e Deshat, në Drinin e Zi, në Jablanicë e Belicë, në liqenin e Ohrit e të Prespës, në Devollin e Epërm, në Gramoz e në Sarandoporos, në Zagorie e Pogon, në Drinos, në Pavlla e deri në Ftelia... Po pastaj, do të pyeste miku im, ku do të shkojmë? Po, ja, le të udhëtojnë turistët me biçikleta ose në këmbë nga ishulli i Franc Jozefit në grykëderdhjen e Bunës (pse jo edhe nga Ulqini), në Velipojë, Shëngjin, Patog, kepin e Rodonit, Bisht Pallë, Golem, kodrat e Kavajës nga Karpeni deri në Bashtovë, nga Divjaka deri në Karavasta e më tej në grykën e Vjosës në Poro, në Nartë, Treport dhe më tej akoma në Karaburun, madje në të gjithë bregdetin e famshëm të Jugut. Në mos me biçikleta (çiklokrose) më këmbë. Do të ishte fantastike! Ju nuk e dini sa i pëlqejnë grupet e të rinjve këto lëvizje, kur natyrisht janë të organizuara nga mikpritësit! Dhe mos harroni, miku im, në largësinë e të ecurës në këmbë brenda një dite, ngrihen kampingje të tillë që krijojnë atmosferë, gëzim, hare, festë, natyrë dhe qytetari...
Si atribut i rastësishëm, si do ta quanit këtë ju zotërinj që keni në dorë resurset dhe mundësitë turistike kombëtare?
Gjithnjë varet në vesh të kujt bie daullja. Për këtë qëllim, psikologu Kreig Anderson shkruan: “Gjërat e mëdha thuhen si rastësisht. Le t’i besojmë mbretit të fatit tonë, rastësisë dhe në këtë rast ta çmojmë perlën e rastësishme që na ra në dorë, mendimin e bukur të tjetrit. Gjithçka varet nga personaliteti ynë prej dëgjuesi të rastësishëm, prej atributit tonë...”

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›